Vitia: Informatat e publikuara për vaksinat nuk tregojnë të vërtetën

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia gjatë një konference për media ka thënë se informatat e publikuara për vaksinat janë të pjesshme të cilat nuk e tregojnë të vërtetën, shkruan Indeksonline.
Ai tha se shkelja e konfidencialitetit rrezikon negociatat e për pasojë edhe shëndetin publik të qytetarëve.
“Jemi përfshirë në kohën e fundit në një diskutim publik, i cili është i kufizuar nga një nivel i lartë i konfidencialitetit e që nuk është përcaktuar nga ne dhe është njësoj në secilin vend të botës që po kalon në këtë proces.
Shkelja e këtij konfidencialiteti, rrezikon negociatat e për pasojë edhe shëndetin publik të qytetarëve tanë. Andaj kërkojmë edhe besimin edhe durimin e të gjithë juve. Jam i vetëdijshëm që është shumë për të kërkuar sepse mjaft kemi pritur. Por ajo që mund të garantoj është se ekipi negociues për sigurimin e vaksinave është ekip professional, i fokusuar dhe ka bërë progres të konsiderueshëm.
Çdo veprim i imi e sidomos i Komisionit është në përputhshmëri me ligjin. Për këtë do të bindeni së shpejti. Siç e thash edhe të premten: Unë nuk mund të jap detaje të këtyre negociatave, sepse procesi i negocimit është i mbrojtur.
Informatat e publikuara janë informata të pjesshme të cilat nuk e tregojnë të vërtetën. Publiku tashmë ka marrë edhe një përgjigjie direkte nga kompania, por asaj përgjigjie as sonte fatkeqësisht asgjë nuk kam për t’i shtuar”./Indeksonline/