Flet ish kapiteni: Besoj që Prishtina do ta fitojë titullin, shpresoj që ndeshja me Ballkanin të vendosë

Driton Krasniqi është një nga futbollistët më të trofeshëm në Kosovë. Për shumë vite, kishte shijuar suksesin me Prishtinën, duke fituar të gjithë trofetë e mundshëm.
Sot, disa vite pas pensionimit nga futbolli, 36-vjeçari është i vetëdijshëm për faktin se klubi i tij nuk e ka fituar titullin e kampionit që 8 vite.
“Për Prishtinën janë shumë 2 vjet mos me fitu titullin e lëre më 8 vjet. Mendoj se një prej faktorëve kryesorë që ka ndikuar gjatë këtyre viteve që Prishtina të mos bëhet kampion, ka qenë presioni i madh te lojtarët. Sivjet më duket se nk e kanë at presion, po e bëjnë lojën ma të mirë prej krejt ekipeve. Shpresoj që ky vit të jetë i yni” deklaroi Krasniqi për Indeksonline.
Më 23 maj zhvillohet java e fundit e këtij edicioni, kur Prishtina e pret liderin aktual të Superligës, Ballkanin. Krasniqi shpreh dëshirën e tij që ajo ndeshje të vendos për titull.
“Unë e di se çfarë vlere ka titulli të fitohet në javën e fundit. Kam dëshirë që ajo lojë të vendos. E theksojë prap që dua Prishtina të shpallet kampion” u shpreh Krasniqi.
Prishtina për herë të fundit është shpallur kampion në vitin 2013, atë kohë Krasniqi e ngriste lartë trofeun si kapiten. Kujtojmë, se ai tashmë ka kryer marrë licencën B dhe A të trajnerit dhe pritet që vitin e ardhshëm të nis punën te ndonjë skuadër.
/Indeksonline/