Policia: Falë bashkëpunimit me qytetarët u arrestua Faton Ibrahimaj

IndeksOnline ka raportuar mbrëmë ekskluzivisht për kapjen e të dyshuarit, Faton Ibrahimaj, për vrasjen e djalit të axhës në Novosellë të komunës së Pejës, shkruan IndeksOnline.
Ndërsa, Policia e Kosovës përmes një njoftimit për media ka thënë se falë bashkëpunimit me qytetarë pas fotos së personit të kërkuar, ka arritur të siguroj informacion lidhur me vendndodhjen e të kërkuarit.

“Policia e Kosovës-Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, me datë 25.04.2021, ka lëshuar kërkesë për bashkëpunim me qytetarë për arrestimin e personit të kërkuar: Faton (Shaban) BRAHIMI, i cili kërkohej për veprën penale:
“Vrasje”
Policia e Kosovës falë bashkëpunimit me qytetarë pas publikimit të fotos së personit të kërkuar, ka arritur të siguroj informacion lidhur me vendndodhjen e të kërkuarit dhe me datë 29.04.2021,është bërë arrestimi i tij.
I dyshuari i lartcekur është dërguar në ndalim policor”, thuhet në njoftim.

Indeksonline mëson që i Faton Brahimaj është arrestuar pak minuta pas orës 22:00.
Ai u arrestua pak metra larg shtëpisë së tij, ku e kishte kryer krimin me 24 prill.
Para gjashtë ditësh, Faton Brahimaj ka shtënë më kallashnikov në drejtim të shtëpisë së Bashkim Brahimaj, ku nga plagët e marra ka humbur jetën.
Ndërkohë, me të dalë në vendin e ngjarjes Policia e Kosovës ka bastisur shtëpinë e të dyshuarit ku ka gjetur dhe sekuestruar armë dhe plumba të shumtë.

Ndërsa, IndeksOnline në ditën kritike ka raportuar se ngjarja ka ndodhur në sy të familjes së viktimës.

E gjithë kjo, dyshohet se ka ndodhur për një çështje pronësore.

Në muret e shtëpisë e viktimës, ende gjenden vrimat e plumbave që shtiu Faton Brahimaj./IndeksOnline/