Sulmet ndaj Donika Gërvallës, Gani Dreshaj përmend pesë pikat e “ngutisë” dhe durimit!

Ish-zëvëndësministri i Punëve të Jashtme, Gani Dreshaj ka analizuar përplasjet në seancën e sotme të Kuvendit, të cilave iu parapriu një deklaratë e kryediplomates, Donika Gërvalla.
Dreshaj ka përmendur pesë pika duke arsyetuar se pse sulmet ndaj saj mund të jenë të ngutshme e të pafaktuara.
“Së pari, skenat e sotme në parlament janë të shëmtuara dhe të panevojshme.
Së dyti, sulmet dhe ofendimet ndaj Donika Gërvallës janë të ulta dhe të papranueshme fillimisht si grua, e më pas si përfaqësuese e jona.
Së treti, lufta e jonë e përbashkët duhet të jetë pandemia, vaksinimi dhe lufta ndaj krizës ekonomike, e jo lufta politike pozitë-opozitë.
Së katërti, sot janë bërë 45 ditë të Qeverisë Kurti. Prisni 100 ditë, prisni edhe pak dhe të japim një gjykim e vlerësim të përbashkët. Më pas, shohim e bëjmë.
Së pesti, të gjithë ne në politikë në të kaluarën kemi bërë deklarata të ngutura e nganjëherë të pamatura.
Shpesh nga ndikimet e fushatave elektorale, e nganjëherë nga emocionet e momentit.
Të rëndësishme janë qëndrimet e të tashmes dhe të ardhmes, andaj besoj në qëndrimet konstruktive dhe kombëtare të zonjës Gërvalla tani si ministre”, shkruan Dreshaj në reagim.
/IndeksOnline/