75 Mall Live Search
20:53 / E Mërkurë, 16 Qershor 2021 / Blerim

‘Rrapa’ shkëlqeu në fitoren e Prishtinës kundër Shkëndijës

Pas testueses me Llapin të shtunën e kaluar (3-1), Prishtina sot u ndesh me kampionët e Maqedonisë së Veriut, Shkëndijë nga Tetova të cilët i mposhti me rezultat të merituar, 2-0.

Dy golat për bardhekaltërit shënoi pas hyrjes në ndeshje në pjesën e dytë, Xhevdet Shabani.

Së pari u asistua nga Gledi Mici, kurse “Rrapa” realizoi me kokë (71’). Nuk vonoi asnjë minutë dhe në të 72-në pas asistimit të Leutrim Kryeziut, Shabani shënoi gol mjeshtëror për rezultatin përfundimtar, 2-0.

Pjesa e dytë ishte e dominuar në tërësi nga bardhekaltrit duke e tentuar portën disa herë.

????????????????????????????????????

Kurse, pjesa e parë shumë më e baraspeshuar. Ishte Prishtina e cila me tre gjuajtje me kokë rresht nuk u tregua e saktë.

Ndërsa, Shkëndija krijoi rastet e veta në minutën e 24-të kur nga gjuajtja e lirë Armend Alimi qëlloi pingulen, kurse dy minuta më vonë, Ljupço Doriev nga tre tentimet e pastra rresht në një aksion nuk ia doli të shënonte.

Në pjesën e parë Prishtina pati edhe një tentim me Kryeziun, por priti portieri mysafir, Zahov (25’).

Pjesa e dytë, siç thamë më lartë, u dominua në tërësi nga prishtinasit duke tentuar disa herë, si me E. Krasniqin (52’), Mankenda-n (54’), Prapashticës (83’) e Hotit (84’).

Sidoqoftë, ata pak të pranishëm në tribuna, sot patën kënaqësinë të shohin nivel tjetër ndeshjeje, me ritëm të lart edhe pse ishte testuese, skuadrat u angazhuan maksimalisht.

Kjo ishte ndeshja e parë miqësore për skuadrën tetovare, kurse dyta dhe e fundit për prishtinasit të cilët të premten udhëtojnë për në Shqipëri për turnirin preliminar.