Goran Pandev sot e zhvillon ndeshjen e fundit me Maqedoninë

Kapiteni dhe ikona e Maqedonisë së Veriut, Goran Pandev, ka vendosur t’i japë lamtumirën kombëtares së vendit të tij.
“Ndaj Holandës do të jetë ndeshja e fundit”,- ka deklaruar ai në konferencën për shtyp, para ndeshjes ndaj tulipanëve.
Ditën e sotme, në orën 18:00, në stadiumin “Johan Cruijff Arena” të Amsterdamit, Maqedonia e Veriut do të përballet me Holandën në ndeshjen e tretë në grupin C të “Euro2020”. Kjo do të jetë beteja e fundit për kapitenin Goran Pandev me kombëtaren e tij, të cilën arriti ta ndihmojë për të shkruar historinë.
Sulmuesi 37-vjeçar, që ka luajtur për një kohë të gjatë në Seria A, me përfundimin e ndeshjes ndaj holandezëve, e cila do të jetë e 121-ta për të, do t’i japë lamtumirën kombëtares, për të cilën ka shënuar 37 gola dhe konsiderohet si një nga më të mirët e historisë së Maqedonisë.
“Kjo do të jetë ndeshja ime e fundit për ekipin kombëtar, mendoj se është momenti i duhur për të thënë lamtumirë. Shpresoj që këta djem, kjo gjeneratë, të vazhdojë kualifikimet në Kupën e Botës. Ata sjellin lumturinë për popullin e Maqedonisë së Veriut, sepse ata janë lojtarë cilësorë, që luajnë për ekipe të mira dhe mendoj se meritojnë të kalojnë në Kupën e Botës”,- ka deklaruar kapiteni Pandev.