75 Mall Live Search
13:30 / E Shtunë, 17 Korrik 2021 / B O

Deputetja Statovci tregon se cilat efekte pozititive pritet t’i ketë Gjykata Komerciale

Deputetja nga radhës e Vetëvendosjes, Jeta Statovci, në kuvendin e Kosovës ka folur rreth Projektligjit për Gjykatën Komerciale.

Statovci ka renditur disa efekte pozitive që do t’i ketë themelimi i kësaj Gjykate.

Më poshtë fjalimi i Jeta Statovcit lidhur me këtë Projektligj:

Qytetarët tanë për kohë të gjatë – deri në dekada – kanë mbetur në konteste gjyqësore për bizneset e tyre dhe në disa raste, ende pa një zgjidhje përfundimtare.
Kjo ka dëmtuar klimën e të bërit biznes dhe ka rritur nivelin e skepticizmit për investime të reja nga investitorë të brendshëm e të jashtëm, por edhe nga mërgata.
Shoqata dhe Oda Ekonomike të ndryshme për vite kanë konsideruar se funksionalizimi i Gjykatës Komerciale do t’i shërbejë komunitetit të biznesit vendor dhe investitorëve të huaj si një adresë e vetme, efikase dhe e specializuar për t’i zgjidhur kontestet nga aktivitetet e tyre biznesore.
Kjo Qeveri e zotuar në dizajnim të politikave konform nevojave qytetare, si dhe fuqizimin e mekanizmave qe mund të luajnë rol vendimtar në mbështetjen e ringjalljes së shpejtë ekonomike në Kosovë që në 100 ditëshin e parë të qeverisjes miratoi projektligji për Gjykaten Komerciale. Ky është hap i madh drejt reformës në drejtësi, gjegjësisht në sferën e të drejtës që grupon normat juridike, të cilat rregullojnë marrëdheniet shoqërore të sferës së ushtrimit të të drejtave ekonomike.
Mbështetja e biznesit me reforma strukturore përmes luftimit të korrupsionit në njërën anë dhe krijimit të mekanizmave të vecantë për administrimin e drejtësisë në konteste biznesore, janë shprehja më e qartë e një përkushtimi të vërtetë drejt fuqizimit të bizneseve tona.
Padyshim, efektet do të jenë të shumë-shkallëshme, duke rritur besimin në sistemin e drejtesisë, duke rritur ndjeshëm numrin e gjyqtarëve dhe stafit të specializuar, shkurtimin e afatave për zgjidhjen e lëndëve komerciale, e cila do bartet në rritje të investimeve dhe rritjen e nivelit të të punësuarve e përmiresim të bilancit tregtar.
Jemi të vetëdijshëm se indikatorët kontraktual vlerësohen në bazë të adaptimit praktikave të mira të tyre dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor, duke matur kohën për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve komerciale. Të angazhuar në kompletimin e kornizës
ligjore të nevojshme, hapa të tillë do përmirësojnë edhe indikatorët përkatës dhe ndikojnë në zhvillimin ekonomik.
Bizneset kanë nevojë për rezultate të shpejta, efikase, të përballueshme mbi procese të besueshme që biznesi dhe ekonomia të ecin mirë. Andaj, mirëpresim këtë projekligj.”

/