Presidentja Osmani: Sot, nëpërmjet Distrias, Kosova shkëlqeu para tërë botës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i është gëzuar tej mase fitores së xhudistes, Distria Krasniqi, e cila e fitoi Medaljen e Artë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.
Osmani tha se sot, nëpërmjet Distrias, Kosova shkëlqeu para tërë botës, transmeton Indeksonline.
Postimi i plotë i Vjosa Osmanit:
Distria i solli Republikës sonë medaljen e dytë të artë olimpike.
Nder e krenari e lumturi e papërshkrueshme.Ajo e ngriti sot flamurin e shtetit të saj në piedestalin më të lartë.
Me suksesin e saj olimpik ajo nderoi një komb të tërë, si dhe e gëzoi fort çdo zemër në Kosovë por edhe shumë të tjera anë e mbanë botës.
Distria, e para e botës, dëshmoi sot sërish se është e pamposhtur dhe se është krenaria e vendit tonë.
Ajo dëshmoi që talenti dhe puna triumfojnë gjithnjë.Sot, nëpërmjet Distrias, Kosova shkëlqeu para tërë botës.Sot dhe përherë, Kosova do të krenohet me ty. Bravo!