21:04 / E Premte, 30 Korrik 2021 / B O

Zjarret vdekjeprurëse godasin turizmin në brigjet detare të Turqisë

Zjarret që kanë rrethuar resorët turistikë të Turqisë kanë kërcënuar ekonominë e vendit, për shkak se turistët kanë nisur që të ikin si pasojë e frikës. Qeveria ka bërë të ditur se pjesa më e madhe e zjarrit është lokalizuar, mirëpo presioni ndaj saj është shtuar pas publikimit të lajmeve se Turqia nuk e ka asnjë aeroplan për shuarje zjarresh.

Zjarrfikësit kanë arritur të shuajnë një pjesë të madhe të zjarrit që ka detyruar evakuimin e fshatrave në jugun e Turqisë.

Flakët që nisën të mërkurën kanë kërcënuar pikën turistike të Antalias, ndërkaq kanë lënë të vdekur katër persona dhe të lënduar 200 të tjerë.

Këto zjarre kanë tmerruar turistët që sapo kanë nisur ta frekuentojnë Turqinë, pas mbylljes së shkaktuar nga pandemia.

Flakët kanë errësuar qiellin mbi hotelet me pesë yje dhe fshatrat turistike në Antalia, teksa janë zgjeruar në një territor prej më shumë se 300 kilometrash dhe kanë rrethuar resorët kryesorë të Turqisë.

Të premten, qeveria turke ka bërë të ditur se 57 nga 71 vatrat e zjarrit janë shuar.

Ministria e Agrikulturës ka njoftuar se situata është duke u përmirësuar, porse ka konfirmuar se nuk ka asnjë aeroplan për angazhim në shuarjen e zjarreve.

Në ndihmë vendit i kanë dalë Rusia, duke i siguruar tre aeroplanë gjigantë, si dhe Greqinë, me të cilën Turqia ka përplasje të kahershme për çështjet rajonale.

Fatkeqësia me zjarret ka kërcënuar ekonominë e varur nga turizmi ndërkaq presioni ndaj presidentit, Rexhep Tajip Erdogan, është shtuar pas lajmeve se shteti nuk ka asnjë aeroplan për shuarje të zjarreve.

Ndërkaq autoritetet kanë arrestuar pesë persona, nën dyshimin se e shkaktuan zjarrin në jug të qytetit Osmanije.