Prokuroria nis hetimet për rrahjen e një serbi në Novobërdë

Prokuroria Themelore në Gjilan, njofton opinion publik se në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës, kanë ndërmarrë veprime hetimore lidhur me rastin, i cili ka ndodhur më 09 Gusht 2021, në fshatin Zebnicë, komuna e Novobërdës, ku dyshohet se persona të panjohur kanë sulmuar fizikisht një person të nacionalitetit serb, tani të dëmtuarin N.P., i cili për shkak të lëndimeve të marra është detyruar të kërkonte tretman mjekësor.
Prokuroria Themelore në Gjilan, ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në mënyrë që të identifikohen kryerësit e kësaj vepre penale.

Babai i serbit që po trajohet në spital, Sllobodan Periq ka thënë se djali i tij është në gjendje të qëndrueshme dhe se për shkak të lëndimeve të marra në kokë, mjekët i kanë rekomanduar prindërve të qëndrojnë në spital për ta monitoruar shërimin e tij.
“Jo mirë. Meqenëse nuk e lënë të dalë nga spitali, nuk është mirë. Ai do të mbahet në Gjilan, deri kur, nuk e di. Policia po e siguron atë para derës së dhomës së spitalit”, tha Periq.
Sllobodan Periq për portalin serb në Kosovë, “Kosovo Online” tha se djali i tij është rrahur pa asnjë arsye nga tre shqiptarë dhe se ka frikë për të ardhmen e familjes së tij në Novobërdë./Indeksonline/
