Kryeministri izraelit merr dozën e tretë të vaksinës anti-Covid

Kryeministri izraelit Naftali Bennett mori sot dozën e tretë të vaksinës së koronavirusit, duke i kërkuar qytetarëve të bëjnë të njëjtën gjë, pasi mosha minimale për një dozë përforcuese shkoi në 40 vjet, si pasojë e rritjes së infektimeve.
Sipas zyrës së kryeministrit, Bennett, 49 vjeç, është udhëheqësi i parë në botë që merr një dozë të tretë përforcuese.
“Nëse do të vaksinoheni me një dozë të tretë, ne mund të shmangim një mbyllje të katërt,” tha Bennett para se të vaksinohej në një spital publik në Kfar Samba.
“Ne shohim efektivitetin e madh të vaksinave, është e sigurt, dhe kjo është mënyra për t’i dhënë fund virusit. Jemi në zemër të betejës tani, ne mund ta fitojmë atë së bashku.”
Për të luftuar përhapjen e virusit, Ministria e Shëndetësisë, vendosi dje të enjten të zvogëlojë moshën minimale në 40 vjeç për injektimin e një doze të tretë vaksine, kryesisht vaksinën e zhvilluar nga gjiganti farmaceutik Pfizer në bashkëpunim me kompaninë bioteknologjike BioNTech.
Në total, të paktën 970,000 infeksione të reja me koronavirus janë raportuar në Izrael, përfshirë 6,700 vdekje. Të paktën 5.4 milionë njerëz kanë marrë dy doza të vaksinës.
Izraeli ishte një nga vendet e para që nisi një fushatë masive vaksinimi në mes të dhjetorit, 2020, falë një marrëveshjeje me Pfizer, që shpërndau miliona doza të paguara në këmbim të dhënave të efikasitetit të vaksinave në popullatën e Izraelit.