Kontrabanda me migrantë/ Policia sapo ndaloi automjetin me 20 shtetas të huaj afër Prishtinës

Mbi 20 shtetas të huaj sapo janë ndaluar nga Policia e Kosovës, në magjistralen Prishtinë-Vushtrri, saktësisht te rrethi në Milloshevë.
Ata ishin duke udhëtuar me një kombibus ndërsa policia ishte duke e vëzhguar vazhdimisht atë deri në momentin që vendosi ta ndalonte.
IndeksOnline ka përcjell nga afër këtë aksion të policisë ku shtetasit e huaj kanë zbritur nga automjeti dhe po qëndrojnë skaj rrugës derisa policia po merret me rastin.

Edhe dje në mëngjes, zyrtarë të Policisë së Kosovës nga Stacion Policor Kufitar-Vërmicë deri sa ishin në lëvizje me automjet në drejtimin Prizren-Vërmicë, në afërsi të nënkalimit të autostradës “Ibrahim Rugova” kishin vërejtur një veture e tipit Audi A5, ngjyrë e zezë, me targa vendore.
Në atë lokacion, disa persona u vërejtën duke zbritur nga mali dhe duke kaluar rrethojën e autostradës, të cilët menjëherë filluan me shpejtësi të hynin në veturë. Vetura u nis menjëherë në drejtim të Prishtinës.

Zyrtarët policor ndërmorën veprime të menjëhershme dhe arritën që veturën ta ndalin në autostradë, rreth 2 Km nga Pika kufitare e Vërmicës.
U identifikua drejtuesi i automjetit m/k me iniciale L.N.(1987), përderisa pasagjerë ndodheshin gjashtë (6) persona shtetas të huaj, prej tyre dy fëmijë. Katër nga shtetasit e huaj kishin dokumente identifikimi, pasaporta me viza valide. Në bagazhin e veturës i fshehur u gjend njëri nga shtetasit e huaj./IndeksOnline/