Rasti “Pastimi” në RTK, Prokuroria njofton se personit i ishte konfiskuar shtëpia e banimit dhe një “Land Rover”

Në vend të KRU “Pastrimi”, Radio Televizioni i Kosovës i pagoi për rreth 5 vjet, mbi 472 mijë euro kompanisë “Pastimi”.
Ky lajm dje bëri bujë në media në Kosovë.
Pas kësaj, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se lidhur me këtë rast ka pranuar kallëzim penal më 28 qershor 2013 ndaj personit B.SH.
Sipas njoftimit, B.SH., i është konfiskuar shtëpia e banimit dhe automjeti i tipit “Land Rover”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se me rastin e ngritjes së aktakuzës ndaj të pandehurit B.Sh., të njëjtën e ka proceduar në gjykatën kompetente për trajtim të mëtejmë.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik lidhur me rastin e një punëtori të RTK-së, i cili kishte përfituar të holla përmes kompanisë “Pastimi”, ashtu që, ju bëjmë me dije se Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 28.06.2013, ka pranuar kallëzim penal nga policia kundër personit me inicialet B.Sh. Lidhur me këtë çështje penale, prokurorja e rastit ka marrë aktvendim për fillim të hetimeve më 04.07.2013 dhe pas ndërmarrjes së një mori veprimesh nga ana e saj, më 11.08.2014, ka ngritur aktakuzë kundër personit të lartcekur, në drejtim të veprave penale “Përvetësimi në detyrë”, nga neni 425 të KPK-së dhe “Mashtrimi në detyrë”, nga neni 426 të KPK-së.
Në këtë çështje penale, të lartcekurit i është konfiskuar shtëpia e banimit dhe automjeti i tipit “Land Rover”.
Prokurori i shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës ndaj të pandehurit B.Sh., të njëjtën e ka proceduar në gjykatën kompetente për trajtim të mëtejmë.
fotoilustrim