21:38 / E Shtunë, 25 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Për t’i ikur 10 centëshit, qytetarët shkaktojnë tollovi para stacionit të Autobusëve

Nga shtatori, udhëtarët të cilët futen në peronët e stacionit të autobusëve të Prishtinës, duhet të paguajnë një tarifë prej 10 centësh. Sipas menaxhmentit të stacionit, kjo është vendosur për ta funksionalizuar shitjen e biletave digjitale. Por shumë operatorë të udhëtimeve i refuzojnë biletat digjitale, e qytetarët për të mos e paguar tarifën prej 10 centësh, po i presin autobusët në hyrje të stacionit.

Për t`i ikur pagesës prej 10 centësh, tarifë e vendosur nga Stacioni i Autobusëve në Prishtinë, shumë qytetarë po i presin autobusët në pjesën e jashtme të tij. Kjo gjë po shkakton tollovi, megjithatë ata thonë se pagesa është e paarsyeshme.

Por ka edhe qytetarë që mendojnë se biletat e autobusëve do të duhej të paguheshin ne stacion, dhe në këtë mënyrë udhëtarët nuk do të detyroheshin të paguanin më shumë.

Drejtori i Stacionit të Autobusëve, Ylber Çitaku, thotë se vetë operatorët po i shtyjnë  qytetarët të dalin jashtë stacionit, me qëllim që të mos e blejnë biletën në stacion.

Por përfaqësuesi i Shoqatës së Transportueseve Rrugorë, Jakup Berisha, mendon ndryshe.

Megjithatë, edhe vetë drejtori i Stacionit të Autobusëve në kryeqytet, Ylber Çitaku, thotë se tollovia qe po krijohet nga udhëtarët, është një imazh i keq. Tarifa për të paguar 10 centë për të hyrë në peronët e autobusëve është vendosur për ta funksionalizuar shitjen e biletave digjitale, të cilën operatorët e udhëtimit po e refuzojnë.