Pacolli flet për dekorimin e Prishtinës për festat e fundvitit, java e parë e dhjetorit befasi

Kanë nisur punimet në Komunën e Prishtinës për rregullimin e qytetit për festat e fundvitit.
Këtë e ka konfirmuar për Indeksonline nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli i cili tha se kontrata është nënshkruar dhe punët në teren janë duke vazhduar.
Përveç kësaj, Pacolli bëri të ditur se janë duke e përgatitur edhe festivalin “Verë n’Dimën”.
“Kanë nisur përgatitjet, ne jemi duke e dekoruar qytetin edhe jemi duke e përgatitur “Verë n’Dimën” që ne tradicionalisht e organizojmë për festat e fundvitit”, u shpreh Pacolli.
Buxheti total për këto përgatitje, sipas Selim Pacollit është rreth 70 mijë euro.
“Kontrata është nënshkru dhe po vazhdojnë punët në terren. Besoj diku rreth 70 mijë euro do të duhej të ishte, së paku po bëj krahasim me vitin e kaluar, nëse nuk ka pasur ndonjë ndryshim shtesë“, tha ai.
Komuna e Prishtinës pretendon që dritat të ndezen në javën e parë të dhjetorit./Indeksonline/