Takohen Ministritë shqiptare të Bujqësisë, dakordohen për bashkëpunim

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, është takuar me homologen e tij shqiptare, Frida Kfirca.
Përmes një postimi në Facebook, ministri Peci ka bërë me dije se kanë biseduar për mundësinë e bashkëpunimit mes dy shteteve për të arritur objektivat e përbashkëta.
“U dakorduam që të krijojmë grupe ekspertësh në nivel teknik dhe administrativ që të gjejmë modalitetet e rritjes së shkëmbimit tregtarë për prodhimet bujqësore dhe eleminimin e barierave të panevojshme”, ka thënë Peci.
Ky është postimi i plotë i tij:
Si një nip mullixhie dhe si ministër bujqësie sot pata një takim të përzemërt me homologen time Frida Kfirca, gjithashtu mbesa e mullixhisë dhe ministre e Bujqësisë në Republikën e Shqipërisë.
Dikur qonim ujë në këta mullinj, sot duhet të qojmë ujë te bujqët tanë, të cilët duhet t’i mbështesim maksimalisht për begatinë, për tokën, për bereqetin tonë!
Bashkëbiseduam gjatë për mundësitë konkrete të bashkëpunimit institucional për arritjen e objektivave të përbashkëta si dhe pashë nga afër një ndër historitë e shumta të suksesit, pikën grumbulluese të pemëve dhe perimeve në Lushnjë përfituese të fondeve IPARD, pronari i të cilit është nga Kosova.
Është synim i imi si ministër, që përmes shkëmbimit të praktikave më të mira të shtetit shqiptar dhe vendeve të rajonit, t’i përmbushim kushtet për akreditimin në IPARD të Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë në mënyrë që sektori i bujqësisë në Kosovë të jetë përfitues i fondeve të tilla zhvillimore. Gjithashtu diskutuam ide konkrete të mundësisë së aplikimit të projekteve të përbashkëta ndërkufitare me theks të veçantë për bimët mjekësore aromatike, potenciali i të cilave shtrihet në trekëndshin Sharr-Kukës-Dibër.
U dakorduam që të krijojmë grupe ekspertësh në nivel teknik dhe administrativ që të gjejmë modalitetet e rritjes së shkëmbimit tregtarë për prodhimet bujqësore dhe eleminimin e barierave të panevojshme. E falënderova ministren Krifca për mikpritjen e ngrohtë si dhe e ftova që në një të ardhme të afërt të vizitojë Kosovën.