Bjellorusia kërcënon të ndërpresë gazin për BE-në në konfliktin kufitar

Udhëheqësi i Bjellorusisë ka kërcënuar se do të ndërpresë furnizimin me gaz në Evropë nëse vendosen sanksione për një krizë të përshkallëzuar emigrantësh në kufirin e vendit.
Mijëra migrantë janë në kufirin me Poloninë, duke duruar kushtet e ftohta atmosferike, me shpresën për të kaluar në Bashkimin Evropian, shkruan BBC.
Zyrtarët e BE-së kanë akuzuar Bjellorusinë për provokimin e krizës për të minuar sigurinë e saj, një akuzë që ajo e mohon.
Si hakmarrje, BE thuhet se po planifikon një paketë të re sanksionesh.
Por të enjten, udhëheqësi autoritar i vendit, Alexander Lukashenko paralajmëroi se nëse ata vendosin sanksione shtesë, bjellorusët duhet të përgjigjen.
“Ne po ngrohim Evropën dhe ata po na kërcënojnë” tha ai, duke iu referuar një gazsjellësi rus që kalon përmes Bjellorusisë drejt BE-së.
“Dhe po sikur të ndalojmë furnizimet me gaz natyror? Prandaj, unë do t’i rekomandoja udhëheqjes së Polonisë, lituanezëve dhe njerëzve të tjerë kokëbosh të mendojnë përpara se të flasin”, shtoi ai.
Komentet e tij ngritën tensione mes përkeqësimit të mungesës së gazit natyror dhe rritjes së çmimeve në Evropë.
Komisioneri i ekonomisë i BE-së Paolo Gentiloni tha se blloku “nuk duhet të frikësohet” nga kërcënimet e Lukashenkos.
Më shumë sanksione të BE-së ndaj Bjellorusisë mund të vendosen që të hënën. Masat e mundshme përfshijnë shënjestrimin e aeroportit në kryeqytet, Minsk, në një përpjekje për të ndaluar linjat ajrore ndërkombëtare që transportojnë emigrantë të zbarkojnë atje.
BE-ja ka akuzuar Bjellorusinë për një “sulm hibrid” në territorin e saj duke inkurajuar mijëra njerëz të përpiqen të kalojnë në Poloni.
Lukashenko, i cili fitoi zgjedhjet kryesisht të diskredituara vitin e kaluar, ka mohuar vazhdimisht se Bjellorusia po dërgon njerëz përtej kufirit si shenjë hakmarrjeje për sanksionet ekzistuese të BE-së.