Pandemia ia prishi disa plane Qumilit, megjithatë aktori nuk u ndal së punuari

Sevdai Radogoshi i njohur me emrin artistik ‘Qumili’ ka arritur të bëj për vete fansa të shumtë falë talentit të tij të veçantë. Ai ka luajtur më shumë se 20 role ku të gjitha kanë qrezultuar tejet të suksesshme.
Humoristi, përkundër moshës, nuk po ndalet së punuari duke u kujdesur që të sjellë diçka të re për adhuruesit e tij, shkruan Indeksonline.

Në një intervistë për Indeksonline, Qumili shpalosi detaje të reja për punën. Ai tregoi se episodi i tretë i komedisë ‘Festa e beqarisë’ do të publikohet këtë të diele në kanalin ‘Youtube’, i cili deri me tani po pëlqehet mjaftë.
“Kemi punuar gjatë gjithë sezonit të verës dhe ende jemi duke punuar. Të dielën do të publikohet në ‘Youtube’ episodi i tretë i komedisë “Festa e beqarisë”, i cili është i metrazhit të gjatë”.
Qumili dhe ekipa e tij janë të kërkuar edhe nga bashkatdhetarët, por që për shkak të situatës, këtë vit nuk kanë mundur të marrin pjesë në asnjë aktivitet që zhvillohet jashtë. Por, edhe gjatë kësaj periudhe të ndjeshme ata nuk janë ndalur së punuari.
“Nuk kemi vizë, nuk ka termine. Nuk kemi qenë të interesuar për shkak të pandemisë, ku edhe gjatë kësaj periudhe ne kemi punuar pa ndal”.
Jemi në prag të festave të fundvitit ku si çdo vit edhe kësaj radhe pritet që me humorin e tij të sjellë një natë të paharrueshme për gjithë fansat.
“Tani jemi duke e përgatitur planin për festën e Vitit të Ri, ku xhirimet do të fillojnë javën tjetër”.
Përmes kësaj interviste ai vendosi që t’i përshëndes të gjithë fansat.
“I përshëndes të gjithë fansat e mi, rrini me ne sepse nuk do t’iu zhgënjejmë”.
Për fund, aktori u shpreh se edhe viti që po vjen do të jetë një vit që do të punojnë shumë, por se ende nuk kanë vendosur se çka do të sjellin konkretisht.
“Për vitin 2022 do të punojmë edhe më shumë. Ende nuk kemi bërë ndonjë plan. Plani realizohet gjatë punës”, përfundoj aktori./Indeksonline/
