75 Mall Live Search
20:36 / E Martë, 14 Dhjetor 2021 / OSH

Me çka ngrohet në shtëpi ministrja Rizvanolli?

Jo të gjithë e kanë fatin të ngrohen si ministrja Artane Rizvanolli, me sistem të ngrohjes qendrore në banesë.

Janë shumë kosovarë që nxehen me rrymë gjatë dimrit. Shpenzimi i madh i energjisë elektrike po thuhet se shkakton krizë në furnizim.

Për shkak të kësaj situate, ministria e Ekonomisë doli me rekomandime madhore e minore si të kursehet rryma. Nga përdorimi më i kufizuar i pajisjeve që harxhojnë shumë, te shkyçja e konsolave të video-lojërave.

Qytetarët thonë se mundohen të mos harxhojnë shumë rrymë.

Disa janë të një goje, e tjerët mendojnë ndryshe nga kryeministri Albin Kurti që tha se rryma është e lirë.

Por, a janë kosovarët kursimtarë të energjisë?

Drejtori i Shërbimit për Konsumator në KEDS, Sabri Tërnava, thotë se një pjesë e konsiderueshme e konsumatorëve mundohen ta kursejnë energjinë elektrike.

Në KEDS thanë se po mundohen t’i mësojnë konsumatorët si ta lehtësojnë faturën e tyre.

KEDS i ka kërkuar Zyrës së Rregullatorit të Energjisë ta shtrenjtojë çmimin për 7 përqind, menjëherë, teksa shpreson për një rritje tjetër prej 30 përqind, diku në prill.