Organizata nga Katari investon mbi 1.4 milionë euro në Podujevë

Komuna e Podujevës ka nënshkruar tri memorandume milionëshe bashkëpunimi me organizatën “Qatar Charity”.
Dy nga këto memorandume janë nënshkruar për fushën e shëndetësisë.
Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, bashkë me përfaqësuesin e “Qatar Charity”, Esam Dabab, kanë nënshkruar marrëveshjen 1,2 milionëshe, që do të financojë ndërtimin e Qendrës së Urgjencës në Podujevë.
225 mijë euro do të investohen në ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Gllamnik.
Ndërkaq, në kuadër të marrëveshjes për mirëqënie sociale, organizata nga Katari do të shpërndajë 200 pako me artikuj ushqimorë, jorgan dhe batanije për familjet me kushte të rënda ekonomike.
“Falënderoj organizatën “Qatar Charity”, për investimet dhe ndihmën e vazhdueshme që po i jep komunës së Podujevës, ndërsa shpreh gatishmërinë tonë të plotë për angazhim në përmbushjen e të gjitha zotimeve që kemi marrë në kuadër të marrëveshjeve që kemi nënshkruar sot” tha Bulliqi pas takimit.