75 Mall Live Search
20:55 / E Diele, 09 Janar 2022 / MSH

Mishërohet me Gjykatën konkursi i noterëve, mungesa e tyre problem në rritje

Kryerja e shërbimeve noteriale në disa qytete të Kosovës po bëhet çdo ditë e më e vështirë.

Kjo për shkak të mungesës së noterëve në 16 komuna të vendit. Akoma më shumë pritet ta vështirësojë situatën pensionimi i dhjetëra noterëve sivjet.

Sipas Odës së Noterëve të Kosovës, Ligji për Noterinë parasheh që çdo 10 mijë banorë të kenë në dispozicion një zyrë noteriale, por kjo gjë po pamundësohet në 16 komuna, të cilat janë aktualisht pa noterë, e që janë Skenderaj, Istogu, Juniku, Rahoveci, Malisheva, Kamenica, Obiliqi, Hani i Elezit, Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Zveçani, Leposaviqi, Ranilluka, Parteshi, Kllokoti  dhe Mamusha.

“Sigurisht se nuk është e lehtë, atyre do ju duhet që të udhëtojnë në komunat tjera për tu marrë një shërbim noterial, pasiqë në mungesë të zyrës noteriale në komunën e tyre, me vendim të Ministrit të Drejtësisë janë autorizuar zyra të tjera ekzistuese në komunat tjera më të afërta me atë komunë për ofrimin e shërbimeve edhe për këta qytetarë. Numri i pamjaftueshëm i noterëve, mungesa e noterëve të rinj i kanë larguar edhe më shumë banorët e këtyre komunave nga shërbimet noteriale” ka thënë ONK për Indeksonline.

Sipas tyre, anulimi i konkursit, mungesa e kandidatëve në listën e pritjes si dhe pensionimi i shumë noterëve në dy vitet e fundit në vazhdimësi ka ngarkuar dhe do të ngarkojë punën e noterëve aktual.

Kjo po bën gjithashtu që pritjet e palëve që kërkojnë shërbim, të jetë më e gjatë, duke mos përjashtuar edhe pakënaqësitë e tyre.

Nga Oda e Noterëve thonë se e kanë ngirtur këtë çështje si shqetësim serioz tek Ministria e Drejtëisë, e cila momentalisht u ka ofruar si zgjidhje vetëm ndryshimin e Ligjit për Notërinë.

Në anën tjetër, nga Ministria e Drejtësisë thonë se numri katual i noterëve në mbarë vendin është 57, teksa në provimet e nënshtruara, 176 kandidatë kanë kaluar në terësi.

Megjithatë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e kishte anuluar provimin e mbajtur të noterisë, duke e quajtur si proces të paligjshëm, të patransparent dhe pa objektiv.

Ngjyrimi i nepotizmit në këtë provim ka qenë një nga arsyetimet kryesore të Haxhiut në anulimin e provimit tash e 2 vite gati.

Sipas MD-së, e vetmja zgjidhje për momentin është që qytetarët të providojnë shërbimet noteriale te komunat fqinje.

“Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë hapa konkret në vazhdimësi për ofrimin e shërbimeve noteriale për komunat në të cilat nuk ka noterë, andaj ne kemi autorizuar noterë të komunave tjera për ofrimin e shërbimeve për komunat ku nuk ka noterë, ne jemi kujdesur që të caktojmë noterët nga komuna më e afërt me komunën ku ka mbetur pa noterë, me qëllim që palëve të ju bie një distancë sa më e shkurtër e mundshme për marrjen e shërbimeve noteriale deri në kompletimin e këtij shërbimi në të gjitha komunat” thuhet në përgjigjen e MD-së për Indeksonline.

Nga MD megjithatë nuk kemi arritur të marrim një datë mbi konkursin e ri.

Sipas Ministrisë, hapja e konkursit të ri për noterë varet e gjitha nga procesi gjyqësor, që akoma është në Gjykatë.

Deri në vendimin e radhës mbi këtë çështje, kujtojmë se këtë vit pritet të pensionohen edhe 2 noterë, duke e ulur numrin e noterëve të disponueshëm në 55 sosh./Indeksonline/