75 Mall Live Search
11:55 / E Hënë, 10 Janar 2022 / MSH

Trazirat në Kazakistan po konsiderohen si përpjekje për grusht shtet

Presidenti i Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev e ka përshkruar dhunën vdekjeprurëse javën e kaluar si një tentativë për grusht shteti.

Ai u tha udhëheqësve të një aleance ushtarake të shteteve ish-sovjetike se aksioni ishte koordinuar nga një “qendër e vetme”, por nuk i përmendi personat që ishin përgjegjës, raporton BBC, transmeton Indeksonline.

Presidenti Putin tha se Kazakistani ishte shënjestruar nga terrorizmi ndërkombëtar, duke shtuar se Rusia nuk do të lejonte kurrë revolucione në rajon.

Trupat nga Rusia dhe vende të tjera janë në Kazakistan për të rivendosur rendin.

Demonstratat, të shkaktuara nga rritja e çmimeve të karburantit, u kthyen në trazirat më të këqija që ka parë vendi në 30 vitet e tij të pavarësisë. 

Raportohet se dhjetëra qytetarë kanë vdekur, përfshirë edhe 16 pjesëtarë të njësitëve të sigurisë.

Protestat nisën më 2 janar dhe u rritën për të pasqyruar pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe ish-presidentit Nursultan Nazarbayev, i cili udhëhoqi Kazakistanin për tri dekada..

Autoritetet thonë se situata tani është stabilizuar, me trupat që vazhdojnë operacionet e “pastrimit” dhe ruajtjen e objekteve strategjike.

Një gjendje e jashtëzakonshme dhe një shtetrrethim mbarëkombëtar mbeten në fuqi. 

Sipas Ministrisë së Brendshme të Kazakistanit, pothuajse 8 mijë njerëz janë arrestuar në të gjithë vendin, që nga shpërthimi i protestave.