75 Mall Live Search
13:19 / E Hënë, 17 Janar 2022 / MSH

Djokovic kthehet në Serbi, pas dëbimit nga Australia

Novak Djokovic ka mbërritur në Serbi, pasi u deportua nga Australia.

Djokovic u deportua të dielën pasi humbi një betejë për viza që përqendrohej në faktin se ai është i pavaksinuar, shkruan BBC.

Një turmë mbështetësish ishte mbledhur në aeroportin e Beogradit, duke valëvitur flamurin kombëtar dhe duke brohoritur “ne e duam Novakun”.

Turneu i këtij viti i Australian Open, i cili është lënë në hije nga problemet e lojtarit për vizat, filloi në Melburn të hënën.

Djokovic ishte planifikuar të luante më vonë gjatë ditës, por dëbimi i tij dramatik i dha fund shpresave të tij për të fituar një titull rekord të 21-të Grand Slam.

Sipas ligjeve të imigracionit të Australisë, atij nuk mund t’i jepet një vizë tjetër për tre vjet.

Por kryeministri Scott Morrison ka thënë se mund të lejohet hyrja më shpejt në “rrethanat e duhura”.

Ligji australian parashikon arsye bindëse për heqjen e ndalimit trevjeçar.

Kjo potencialisht do t’i lejonte Djokovicit të marrë pjesë në turneun Australian Open vitin e ardhshëm.

Por, pikëpyetje janë ngritur edhe për pjesëmarrjen e tij në French Open, turneun tjetër Grand Slam në kalendarin e këtij viti.

Parlamenti francez sapo ka dhënë miratimin përfundimtar të një ligji që kërkon që personat mbi moshën 16 vjeç të kenë një certifikatë vaksinimi për të hyrë në vende publike, përfshirë ambientet sportive.

Ministria e sportit e Francës tha të hënën se nuk do të bënte përjashtime nga rregullat e saj të fundit për lejet e vaksinave, të cilat vuri në dukje se zbatohen si për lojtarët profesionistë ashtu edhe për spektatorët.

Megjithatë, nuk dihet akoma se si mund të rrjedhin gjërat deri në maj, atëherë edhe kur parashihet të mbahet turneu.