Murati: S’është e lehtë të zgjidhen problemet që i keni lidhur nyje sa e sa vite

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se qeveria po punon lidhur me çështjen e pagesës së energjisë elektrike në veri të Kosovës duke shtuar që nuk e lehtë të zgjidhen probleme që sipas tij janë krijuar nga qeveritë e kaluara.
Ai në këtë mënyrë u është kundërpërgjigjur akuzave të deputetes të PDK-së Blerta Deliu Kodra se Qeveria Kurti po ua paguan rrymën serbëve në veri, dhe po ua shtrenjton shqiptarëve.
“U përmend veriu, po punojmë në këtë drejtim si qeveri komplet, normalisht nuk është e lehtë të zgjidhen problemet që i keni lidhur nyje që sa e sa vite dhe prapë po duhet të rikthehemi në të kaluarën për t’ua rikujtuar jo pse po kemi qejf, por vetëm për t’ju reflektuar me hipokrizinë e juaj. Në vitin 2017 ka qenë ZRRE në qeverisjen PDK-LDK që ia ka vendosur KOSTT-it kusht në licencë furnizimin e veriut me energji elektrike”, ka thënë Murati.
Murati ka thënë se diskutimi i sotëm në Kuvend është i kotë, pasi sipas tij deputetët opozitarë nuk kanë një përgjigje konkrete se cilat vendime të qeverisë ndikojnë në rritjen e çmimeve.
“Çështja tjetër ishte edhe puna e çmimit të rrymës, nëse arrijmë si qytetarë të kursejmë ose ta zvogëlojmë nevojën për import, e shpresoj që me hyrjen e bllokut të dytë të Kosovës B do të zvogëlohet nevoja për import, do ta kemi shumë më të lehtë menaxhimin dhe shpresoj që do të ketë sa më pak nevojë që është e mundur që të ketë ndërhyrje me subvencion dhe të lehtësohet barra e qytetarëve. Tjerat, siç e dëgjuam gjatë tërë debatit këtu, janë vetëm fjalime sa për ta akuzuar qeverinë për gjëra që janë jashtë kontrollit të çdo qeverie, të ngjashëm i ka secila qeveri në Evropë dhe në kontinente të tjetra”, ka thënë ai.