Boletini: RTK nuk do të blejë më lajme dhe emisione informative, në buxhet janë bërë reduktime të shpenzimeve

Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini sot gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet dhe Financa ka deklaruar se duke marrë parasysh kohën e kufizuar që e ka pasur bordi i ri për ta shqyrtuar projeksionin buxhetor të RTK-së për vitin 2022, janë bërë reduktime, përkatësisht kursime në linja të ndryshme buxhetore.
Ai ka thënë se rreth një javë pasi që është konstituuar bord i ri, kanë kërkuar projeksionin buxhetor për vitin 2022. Ish-drejtori Ngadhnjim Kastrati e ka dërguar për miratim projeksionin ku figuronte se të hyrat nga buxhetin i Kosovës janë 11 milionë e 200 mijë euro. Por në fakt shuma e miratuar nga Kuvendi i Kosovës është 8 milionë e 960 mijë euro.
“Bordi e ka kthyer këtë buxhet me shumën e supozuar, duke i kërkuar që të bëhen shkurtime dhe buxheti t’i dërgohet bordit me 8 milionë e 960 mijë euro as sa kemi në dispozicion. Në këtë mënyrë buxheti është shkurtuar për 2 milionë e 240 mijë euro. Në rast se do të miratohej në versionin e parë, kjo shumë mund të na krijonte edhe një borxh për RTK-në me këtë shumë”, ka thënë Boletini.
Ai ka thënë se bordi e ka kthyer edhe dy herë të tjera projeksionin buxhetor pasi që rekomandimet e bordit nuk janë marrë parasysh nga menaxhmenti i kaluar, por gjatë finalizimit të projeksionit kanë arritur të reduktojnë shpenzime në disa linja buxhetore, duke i bartur për disa linja tjera të rëndësishme.
Në kuadër të reduktimit të shpenzimeve, Boletini ka thënë se bordi ka marrë vendim që RTK-ja nuk do të blejë më lajme nga agjencitë vendore të lajmeve dhe se në projeksion buxhetor figuron shuma derisa të përfundojnë kontratat ekzistuese deri në muajin gusht të këtij viti.
Besnik Boletini ndër të tjera ka thënë se Bordi i RTK-së gjithashtu ka vendosur që të mos blejë emisione me karakter informativ nga produksionet e jashtme dhe se asnjë produksion nuk do të kontraktohet duke i dhënë hapësirë të marketingut si kompensim, sepse kjo mënyrë e ka dëmtuar financiarisht RTK-në.
“Lajme nuk do të blejmë më nga agjencitë vendore. Kjo mënyrë si ka qenë deri më tani është e papranueshme për bordin aktual. RTK ka një numër të mjaftueshëm të gazetarëve që t’i përcjellë vetë ngjarjet kryesore në vend. Në anën tjetër, lajmet dhe temat që janë marrë nga agjencitë e pavarur, ia kanë caktuar agjendën editoriale RTK-së, sidomos në fundjavë. Gjithashtu, nuk do të kontraktohen emisione gazetareske. Këto raportime dhe emisione do t’i realizojnë punëtorët e RTK-së”, ka thënë Boletini.
Ai ka thënë se në vitet paraprake RTK-ja ka paguar qindra mijëra euro për blerjen e lajmeve dhe për emisione të jashtë me karakter informativ dhe se RTK-ja ende ka borxhe për këto shërbime që i ka ma marrë.
“Aktualisht RTK-ja i ka borxh mbi 382 mijë euro vetëm ndaj produksioneve të jashtme prej të cilave ka blerë emisione informative (dokumentare, emisione) dhe lajme”, ka thënë Boletini, duke shtuar se borxhi aktual i RTK-së është 1.6 milionë euro dhe se kjo është trashëguar nga vitet paraprake për shkak të keqmenaxhimit.
Nuk do të ketë rritje të stafit, por shkurtim
Besnik Boletini ka sqaruar edhe çështjen e numrit të punëtorëve që është raportuar se do rritet. Ai ka thënë se kur është konstituuar bordi i ri, kanë kërkuar numrin e të gjithë punëtorëve të rregullt dhe atyre që janë të angazhuar.
Ai ka thënë se nuk bëhet fjalë për rritje të numrit të punëtorëve, por për reduktim dhe se kjo shihet edhe në projeksionin buxhetor. Sipas tij, në projeksionin e parë ish-drejtori i ka paraparë 717,501 euro, ndërsa kjo shumë është reduktuar për 180 mijë euro dhe ka gjasa të reduktohet edhe më shumë.
“Në bazë të të dhënave që na janë dhënë nga menaxhmenti në dhjetor të vitit paraprak, numri i të angazhuarve me kontrata për shërbime ka qenë 239, kryesisht staf esencial, si gazetarë, kameramanë, montazhier etj., dhe kanë qenë edhe rreth 40 persona të angazhuar në dy seriale. I gjithë stafi esencial është angazhuar pa konkurs për vite të tëra dhe vazhdimi i kontratave është bërë pa ua vlerësuar përformancën. Shqetësim i bordit ka qenë ligjshmëria e këtyre kontratave dhe të drejtat e këtyre të angazhuarave. Ka pasur raste kur gratë një muaj pasi kanë lindur foshnjat, janë detyruar të dalin në punë pasi që kjo lloj kontrate nuk parasheh asnjë lloj të pushimit. Prandaj do të rregullohet ligjshmëria e kontratave”, theksoi Boletini.
Ai ka thënë se i kanë kërkuar ish-drejtorit të kaluar por edhe u.d drejtorit të tanishëm që të bëhet një analizë e detajuar e stafit ekzistues dhe nevojës eventuale për staf shtesë.
“Nga 31 marsi i këtij nuk do të ketë staf esencial me kontrata për shërbime. Ne po e presim këtë analizë dhe në bazë të kësaj mund të vendoset nëse do të rekrutohen punëtorë përmes konkurseve publike. Fillimisht është reduktuar numri në 98 pozita dhe këtu përfshihen rreth 40 pozita në RTK-2 – kanalin në gjuhën serbe, për të cilët na është thënë se nuk kanë diploma të nostrifikuara dhe se pa nuk funksionon ky kanal”, u shpreh Boletini.
Ai tha se edhe për këto pozita në RTK 2, do të ketë konkurse, sepse nuk mund të paragjykohet se nuk ka të diplomuar me diploma valide dhe se një gjë të tillë asnjëherë nuk e ka bërë menaxhmenti i kaluar, që ta shtjerrë si mundësi për të rekrutuar punëtorë të rregullt për ato pozita në RTK2. Por është konstatuar si problem politik dhe se është vazhduar me kontrata për shërbime.
Duke u përgjigjur në pyetjen e kryetarit të Komisionit për Buxhet dhe Financa për përqindjen e madhe të buxhetit që është i dedikuar për paga, Boletini ka thënë se kjo është situata që e kanë gjetur. Por ka thënë se kur të zgjidhet drejtori i ri, Bordi do t’i kërkoj një riorganizim, një risistemim e ku do të shikohet puna dhe pagat e shumë departamenteve, pasi që ka shumë zyrtarë të departamenteve që kanë paga të larta, por më aq sa kanë parë deri më tani si bord, nuk kanë dhënë produktivitet në punë. Ai tha se ky riorganizim do të fokusohet edhe në verifikimin e avancimeve që janë bërë në RTK, pasi që aktualisht më shumë ka redaktorë sesa gazetarë në RTK.
Lidhur me dyshimet e shumta për keqpërdorime dhe keqmanaxhim që kanë ndodhur ndër vite e ku përfshihen edhe borxhet, ai ka thënë se Bordi ti RTK-së së shpejti do t’i bëjë ftesë prokurorisë që të nisë hetimet.