75 Mall Live Search
20:07 / E Premte, 04 Shkurt 2022 / SH F

Sa euro e blenë një litër naftë deputetët në muajin janar, e sa qytetarët?

Qytetarët e Kosovës po e blejnë më shtrenjtë naftën e benzinën në të njëjtat pikat të karburanteve, sesa zyrtarët qeveritar.

Në disa pompa, nafta po shitet me çmimin 1.33 euro litra. Në muajin e kaluar është shitur 1.29 euro.

Pas shtrenjtimit të derivateve, patën reaguar qytetarët duke kërkuar intervenim nga ana e Qeverisë. Kjo e fundit, pati thënë se nuk mund të ndërhyjë në treg, kur merrej parasysh që sipas tyre, çmimi ishte rritur edhe në berzat ndërkombëtare.

Por, institucionet publike u furnizuan dukshëm më lirë në të njëjtat pika, prej të cilave shpenzojnë mijëra litra në ditë, për automjete e për gjeneratorë.

Agjencia Qindore e Prokurimit -AQP, ka të kontraktuara disa kompani për furnizim me derivate për 70 institucione publike, qendrore e lokale. Rrjedhimisht, pikat e karburanteve janë në secilin qytet të Kosovës dhe nga të njëjtat pika, institucionet qendrore u furnizuan me naftë gjatë muajit janar më çmim prej 1.19 euro për një litër.

Megjithëkëtë, AQP-ja kalkulimin e çmimit gjatë realizimit të kontratës e bënë duke u bazuar në çmimin mesatar mujor të berzës së Plattit CIF Med (Genova/Lavera), kursit mesatar mujor të Bankës Qendrore Evropiane dhe elementeve tjera fikse dhe variabile.

Pos, pagës dhe mëditjet, deputet e Kosovës po shpenzojnë qindra euro naftë. Së fundmi janë publikuar edhe shifrat e parave të shpenzimeve të tyre, ku të disave tejkalojnë shumën prej 800 eurove. Shpenzimet i përkasin muajve nëntor dhe dhjetor. Një litër naftë në muajin nëntor institucionet publike e kanë blerë në vlerë prej 1.13 euro, derisa qytetarët u furnizuan me 1.26 euro. Më 1.13 cent, institucionet publike u furnizuan me naftë për veturat edhe në dhjetor.

Në vitin 2018, kryeministri i tanishëm, Albin Kurti, i cili ishte në opozitë, duke ju referuar çmimit të lartë të naftës, kishte thënë se me qeverisjen e LVV-së, nafta e xhipeve të shtrenjtë do të derdhet në rezervarët e makinerisë së bujqve.

“Që prej shpalljes së pavarësisë, nafta kurrë s’ka qenë më shtrejtë: 1 litër = 1 euro e 22 centë. Edhe më kaherë se kaq, nuk ka pasur këso thatësie në muajt tetor e nëntor. Shumë bujq sivjet nuk kanë mbjellë fare, kurse atyre që kanë mbjellë nuk po iu mbin fara. Shumë moti bujqësia kosovare s’ka qenë kaq dobët e importi kaq i lartë.Sistemet e ujitjes janë me shumë defekte teknike dhe pa investime qeveritare. Arat pa ujë shiu prej qielli, janë edhe pa ujitje kanalesh tokësore. Sipër tyre, traktorë të rrallë e që të gjithë të vegjël. Fara e plehu edhe të shtrenjta edhe pa cilësi. Një shtet që e lë tokën e vet djerrë, nuk ka çfarë korr. Sot po shtohen xhipat qeveritarë, që e kanë naftën e lirë ashtu siç duhet ta kishin traktorët e bujqve të cilët s’po kanë llogari të punojnë tokën. Me qeverisjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nesër, lirohet nafta për traktorët e bujqve që do ta punojnë tokën dhe hiqen xhipat e shtrenjtë, sepse popullit i duhet dhënë llogari”, kishte shkruar kryeministri më 24 nëntor 2022.

Derisa, deputet po shpenzojnë nga 800 euro naftë, duke e blerë me çmime të berëzës, bujqit në Kosovë po e blejnë naftën me çmim prej 1.33 euro.