Arrestohet një person në Ferizaj, mashtroi me subvencionet e Pakos Emergjente kundër COVID-19

Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike në Ferizaj sot ka arrestuar personin me inicialet J.U., pronarin e një kompanie në Ferizaj, i cili dyshohet se ka kryer veprat penale “Mashtrimi me Subvencione” dhe “Falsifikimi i dokumentit”.
Sipas policisë i arrestuari kishte deklaruar 19 punëtorë të rijnë me qëllim që të përfitonte nga Pakoja Fiskale Emergjente e Qeverisë për COVID-19.
“Me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm nga vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për ndihmat me Pakon Fiskale Emergjente për COVID-19, për shoqëritë tregtare dhe punëdhënësit tjerë që regjistrojnë punëtorë me kontrata pune së paku një (1) vjeçare nga njëqind e tridhjetë (130) Euro për dy muaj pasues pas regjistrimit, kishte lidhur disa kontrata pune (gjithsej 19-të) duke deklaruar në ATK se ka 19-të punëtorë të rinj dhe përfitimi nga kjo masë ishte 2,470.00€ për një (1)muaj, që gjithsej për dy muaj (Mars-Prill 2020) ishte 4940.00€”, njofton Policia.
Policia tutje ka njoftuar se i arrestuari nuk i kishte deklaruar pagat e punëtorëve në ATK dhe nuk i kishte kryer pagesat as të tatimit të mbajtur në burim as nuk kishte paguar kontributet e pensioneve.
“I njëjti edhe pasi parat e pakos emergjente u kishin dalë në xhirollogari të punëtorëve, u kishte bërë presion (personave të deklaruar si punëtor) që shumën prej 100€ për muaj t’ia japin atij, ndërsa pjesën prej 30€ ta ndalin për vete. Me këtë rast pjesa më e madhe e tyre kishin pranuar, ndërsa për ata që nuk kanë pranuar këtë ofertë, i dyshuar kishte përpiluar nga një faturë fiktive, duke e nënshkruar vetë në emër të blerësit, ku disa nga këto fatura ishin në vlerë deri 260.00€, në emër kompanisë kinse kanë marr material elektrik, e të njëjtat fatura (të falsifikuara) i kishte dorëzuar te përmbaruesi privat”, bëhet e ditur nga Policia.
Me vendim të prokurorit i dyshuari me inicialet J.U. është dërguar në mbajtje për 48 orë.