Thellohet skandali te Ajaxi, për ngacmim seksual akuzohet edhe ish-mbrojtësi i Barcelonës

Pas skandalit të ish-drejtorit të Ajax, Marc Overmars, te gjiganti holandez është lajmëruar edhe një rast i kësaj natyre. Ndihmës-trajneri i Ten Hag, Winston Bogarde është akuzuar për ngacmim seksual.
Ish-mbrojtësi i Barcelonës i ka dërguar mesazhe të pahijshme me karaktere seksuale, në mënyrë private një gruaje.

Gruaja i ka interpretuar si “ngacmim seksual” dhe ka vazhduar me denoncimin.
Rasti ka ndodhur në fund të vitit 2020 dhe është konfirmuar tani nga skuadra holandeze.

“Është e vërtetë që Ajax mori një ankesë anonime më 1 tetor 2020 për sjelljen e keqe të një punonjësi të Ajax-it. Klubi menjëherë mori masa. Raporti u hetua menjëherë. në mënyrë të pavarur nga dy organet e jashtme dhe konkluzioni ishte që kjo çështje të konsiderohej private dhe u konstatua se nuk do të ndërmerrej asnjë veprim tjetër”, thuhet në njoftimin e Ajax./Indeksonline/