Zgjedhjet në Istog mund të mbahen në njërën nga këto dy data!
Qytetarët e Istogut përfundimisht pritet të votojnë edhe njëherë për kryetarin e komunës së tyre. Kështu, vendosi sot Gykata Supreme e cila mori vendim që kjo qytezë të shkoj në rivotim.
‘Indeksonline’ menjëherë ka kontaktuar KQZ-në me anëtarët e saj për të mësuar detajet më të reja rreth këtij procesi zgjedhor.
Sipas rregullorës për organizim për këto zgjedhje të jashtëzakonshme parashihet të mbahet fushatë elektorale prej disa ditësh.
Mirëpo, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi nuk ka dashur të bëjë ende publik caktimin e këtyre ditëve. Sipas tij, në vazhdim do të mbahet mbledhja e tyre dhe do të përcaktohet i tërë procesi zgjedhor.
“ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vendos në ditët në vijim se çka të bëjë me procesin zgjedhor. I mbetet KQZ-së për të vendosur për çështjen siç kanë të bëjnë me process zgjedhor. Nuk mundem të paragjykojmë e unë si zëdhënës nuk mundem të paragjykojë vendimet e KQZ-së, i takon që në mbledhje me vendos edhe kurdo që ajo të mbahet do të njoftoheni me kohë që ta përcjellni, ku në këtë mbledhje do të përcaktohet procesi zgjedhor, përcaktimi i afatave dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me process zgjedhor”, ka thënë Elezi.
Më tej, anëtari i këti institucioni nga radhët e AAK-së, Binak Vishaj ka shpjeguar për “Indeksonline” gjithë procedurën e procesit të këtyre zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Istog.
Madje, ai ka pohuar edhe dy data të cilat mund të jenë kur do të organizohen këto zgjedhje.
“Datat eventuale për organizim të zgjedhjeve do të jenë ose 17 dhjetori ose 7 janari”, është shprehur ai.
“Ne si Komision Qendror i Zgjedhjeve do ta shqyrtojmë se cila do të jetë data kur mbahet, e do të organizohet edhe një proces zgjedhor për kryetarë komune të Istogut. Pasi që të caktojmë datën atëherë është e paraparë pesë ditë e fushatës elektorale, është e përcaktuar sipas rregullorës për organizim të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë komune dhe për asamble”, ka thënë Vishaj.
Ndryshe, Supremja me këtë rast ka refuzuar edhe ankesën e LDK-së edhe të AAK-së. Pasi që sipas këtyre nuk ka pasur nevojë të shkohet përsëri në rivotim./Indeksonline/