75 Mall Live Search
18:39 / E Martë, 15 Mars 2022 / OSH

Dita e shtatë e protestës, studentë e qytetarë mblidhen para kryeministrisë në Tiranë

Disa studentë kanë marshuar këtë të martë drejt kryeministrisë ku po protestojnë për të shtatën ditë kundër rritjes së çmimeve të hidrokarbureve dhe produkteve të shportës.

Edhe pse më të pakët në numër, protestuesit theksojnë se Paketa e rezistencës sociale të qeverisë nuk është masa e duhur, pasi është anashkaluar pjesa tjetër e popullsisë.

Paraditen e kësaj të marte një grup studentësh me megafon ftuan të gjithë të rinjtë që të mblidhen në orën 16:30 për të marshuar drejt kryeministrisë, me dëshirën e tyre që të rikthejnë protestat e 2018. Një pjesë e vogël e tyre bojkotuan mësimin.

Ata kanë vendosur që të takohen çdo ditë jave në orën 17:00 përballë Kryeministrisë, ndërsa e shtuna do të jetë marshim kombëtar.

Edhe në Dibër, thirrjes së një grupi nga shoqëria civile për të protestuar kundër rritjes së çmimeve, iu përgjigjën disa qytetarë.

Kjo revoltë e qytetarëve erdhi pas rritjes së menjëhershme të çmimit të produkteve ushqimore dhe hidrokarbureve si efekt i luftës në Ukrainë.

Në mbledhjen e sotme, Bordi Kombëtar i Menaxhimit të Hidrokarbureve vendosi që çmimi i naftës dhe benzinës të shitet 211 lekë për litër./tch