FFK reagon pas spekulimeve se ka zhdoganuar 35 ora, kërkon përgjigje nga Dogana e Kosovës për deklaratën e Adriatik Stavilecit

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka reaguar ndaj spekulimeve sipas të cilave thuhet se tetë ditë para Kuvendit Zgjedhor, ky institucion ka blerë 35 ora dore.
FFK ka sqaruar për publikun që këto spekulime janë të pavërteta dhe qëllimkeqe, me synimin e vetëm për të dëmtuar imazhin e këtij institucioni në prag të procesit zgjedhor.
“FFK as nuk ka blerë dhe as nuk ka zhdoganuar kurrëfarë orësh, prandaj kërkojmë edhe nga Dogana e Kosovës të reagojë në lidhje me deklaratën e zëdhënësit të saj Adriatik Stavileci, e cila ka gjasa që është keqpërdorur nga portali në fjalë, siç e ka keqinterpretuar edhe përgjigjen e Zyrës për Media të FFK-së”, shkruante në komunikatën e FFK-së.
“FFK do të vazhdojë fuqishëm ta ndjekë rrugën e drejtë dhe do të punojë me përkushtim edhe më të madh në zhvillimin e hovshëm të futbollit në Kosovë”, shkruante më tej në komunikatën e FFK-së.
Kuvendi i Zgjedhor i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) do të zhvillohet më datën 6 të këtij muaji, ku do të vendoset për presidentin e ri të këtij institucioni.