75 Mall Live Search
17:31 / E Diele, 03 Prill 2022 / C E

“Skifterat” e Gjilanit vizitojnë portierin e Ballkanit në spital, kryesia e këtij tifogrupi jep dorëheqje

Një ngjarje e shëmtuar ka ndodhur në derbin e javës së 27-të në Superligën e Kosovës në futboll, mes Gjilanit dhe Ballkanit.

Nga një goditje këndi thuajse në fundin e ndeshjes, golin e barazimit e gjeti portieri, Enea Koliçi që çmendi të gjithë në stadium.

Pas golit, tifozët e Gjilanit u inkuadruan në fushë dhe sulmuan portierin e Ballkanit, Stivi Frashërin. Ai më pas me autoambulancë u dërgua në spital.

Rezultati kur kjo ndeshje u ndërpre ishte 1:1, teksa tani lidhur me fatin e ndeshjes pritet që të merret një vendim nga Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Tifogrupi i Gjilanit, “Skifterat”, kanë njoftuar se e kanë vizituar në spital portierin e Ballkanit dhe i kanë shprehur keqardhje për situatën që ndodhi në stadiumin e qytetit të Gjilanit.

Kryesia e “Skifterave” ka dhënë dorëheqje nga organizimi dhe paraqitjet e grupit, pas asaj që ndodhi sot në fundin e ndeshjes Gjilani – Ballkani.

Njoftimi i plotë nga “Skifterat”:

“Kryesia e Skifterave ka vizituar në ambientet spitalore Stivi Frashërin për të parë nga afër gjendjen e tij shëndetsore dhe për të shprehur keqardhje për ndodhinë!

Gjatë pjesës së dytë individ nga tribuna vendase janë ofenduar anasjelltas me portjerin musafir dhe në momentin e golit nga euforia e futjes në fushë, një person ka shtyrë Frashërin dhe një tjetër e ka shkelmuar, ndërkaq kanë qenë kryesia e Skifterave të cilët i janë hudhur sipër për ta mbrojtur!

Distancohemi publikisht nga ky akt i shëmtuar, nuk është në traditën tonë sulmi ndaj lojtarëve të futbollit, përtej kësaj kundrejt një ekipi si Ballkani dhe tifozëve e qytetarëve të Suharekës që gjithmonë na kanë bërë të ndihemi si në shtëpinë tonë!

Kushdo me qëllim njollosjen e vlerave tona sportive dhe tifozerike duhet të përgjigjet për veprimet e veta!

Kryesia e Skifterave e indinjuar thellësisht nga ngjarja deklarohet për DORËHEQJE të PAREVOKUESHME si bartës të organizimit dhe paraqitjeve të grupit!”