Vajza e Ilir Konushevcit flet për herë të parë, shpreson që institucionet e reja të bëjnë më shumë në zbardhjen e rastit të babait të saj

Sot bëhën 24 vite nga vrasja e një prej celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilir Konushevci. Pavarësisht se kanë kaluar gjithë këto vite, kryesit e këtij krimi ende nuk kanë dalë para drejtësisë.
Vajza e heroit kombëtar, Nertila Konushevci, thotë se dita e sotme, si çdo përvjetor tjetër, nuk është aspak e lehtë për të dhe familjen e saj.
Megjithatë thotë se ndjehen mirë kur shohin se populli po i nderon veprat dhe sakrificën e tij, transmeton Indeksonline.
“Kur po e shohim që populli e nderon atë dhe Hazir Malen vepren dhe sakrifiat e tyre, neve na bën krenarë dhe na bën të ndihemi më lehtë. Ndihemi shumë keq që nuk u zbardh rasti. Nuk ka pas hulumtime qysh duhet, shpesh edhe i kanë lënë anash. Shpresoj që instituciuonet të bëjnë ma shumë., Tek e fundit ka shumë hulumtime që duhet drejtësia më i zbardhë. Ne familja presim. Nuk është bërë asgjë deri tash“, ka thënë e bija e Ilir Konushevcit.

Më 27 nëntor të vitit 2017, në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë ishin varrosur me ceremoni të lartë shtetërore eshtrat e heronjve Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj.
Eshtrat e dy heronjve ishin rivarrosur mbi 20 vjet pas vrasjes së tyre. Deri atëhere eshtrat e tyre kanë pushuar në Tropojë të Shqipërisë.

