LDK me kallëzim penal ndaj Drejtorisë së Arsimit në Podujevë, ia qet në shesh “skandalet”

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosoës në Podujevë, me rastin e grevës së punëtorëve të arsimit ka deklaruar se gjendja e arsimit në këtë komunë është shumë e rënduar.
Sipas LDK-së, Drejtoria e Arsimit në Podujevë karakterizohet nga keqpërdorimet dhe skandalet.
“Punësimet pa procedura të konkurimit, duke favorizuar, e punësuar familjarë, e militantë partiakë janë bërë normale në këtë drejtori. Keqpërdorimi shkon aq larg deri në kurdisjen e “listes së pritjes së madhe” thuhet në komunikatën zyrtare të partisë.
LDK tutje ka thënë se të punësuarit në arsim në këtë komunë janë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje ose familjarë të personave në ekzekutiv.
Tutje, në komunikatë përmendet edhe ndërhyrja e drejtorit të Arsimit në transferimet e parregullta të nxënësve, në zhdukje të korrespodencave dhe përfshirje të zyrtarëve nga MAShTI.
“Kërkesa për t’u dorëhequr nga pozita e zëvendësdrejtorit dhe emërimi menjëherë drejtor, pa përfillur asnjë procedure në shkollën “Isa Boletini” është bërë në kundërshtim të plotë me rregullativën ligjore. Vendosja në krye të Këshillit të Prindërve e përsonit të dëgjueshëm nga drejtori i Arsimit. Skandali me bursa, ku për herë të parë kriteret ndryshojnë pasi pubikohet lista fituese dhe pas skandalit ku mbesin pa mbështetje nxënësit meritor, mjaftohen vetëm duke shkarkuar për pak kohë komisionin. Për të gjitha këto, minimumi që do të duhej të bentë kryetari i komunës sot, është ta shkarkonte qysh sot drejtorin e Arsimit, por, kjo nuk ndodhë, nuk ndodhë sepse edhe ai vet është i përfshirë, pothuajse në të gjitha këto skandale” thotë LDK-ja.
“Skandal është shkaktuar edhe në furnizime për shkolla, rasti me makina të pastrimit, ku sipas specifikave janë kërkuar makina me bateri, ndërsa furnizimi kanë ardhur makina me kabllo të rrymës, ndërsa nga presioni i drejtorit, komisioni i pranimit i ka pranuar. Diferenca në çmim është rreth 1 mijë euro në copë, ndërsa vlera totale e keqpërdorur rreth 21 mijë euro.”
Lidhja thotë gjithashtu se kanë ngritur kallëzime penale për të gjitha këto parregullësi dhe shkelje, duke deklaruar se nuk do të ndalen “derisa përgjegjësit të marrin ndëshkimin e merituar”.
Nga partia pohojnë se posedojnë dëshmi të këtyre shkelje, dëshmi këto të cilat janë paraqitur edhe në Prokurorinë për krime të rënda, në Agjencinë Antikorrupsion dhe tek Auditori Kombëtar.
Lidhja ka humbur pushtetin e saj në këtë komunë në zgjedhjet e kaluara, me fitorën e Shpejtim Bulliqit të LVV-së.