75 Mall Live Search
11:39 / E Shtunë, 21 Maj 2022 / LB

Liria dhe Vushtrria sot luftojnë për të siguruar barazhin për inkuadrim në Superligë

Sot do të zhvillohet ndeshja vendimtare ndërmjet dy skuadrave të Ligës së Parë, Lirisë dhe Vushtrrisë. Fituesi i këtij ballafaqimi do të luajë ndeshjen e barazhit ndaj skuadrës e cila do të përfundojë në vendin e tetë në tabelën e Superligës së Kosovës.

Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “18 qershori” në Klinë duke filluar nga ora 15:00.

Këto dy skuadra në edicionin e rregullt garues të Ligës së parë kanë përfunduar në vendin e dytë në grupet A dhe B. Tifozët e të dy skuadrave kanë paralajmëruar se do të jenë në masë të madhe të pranishëm në tribunat e stadiumit për t’i mbështetur skuadrat e tyre andaj edhe pritet një atmosferë fantastike në tribuna.

Nga ana tjetër, skuadrat që në Superligën e Kosovës janë duke luftuar për t’i ikur vendin të tetë, dhe rrjedhimisht ndeshjes së barazhit janë Malisheva, Dukagjini, Drenica dhe Prishtina.