“Çështja e detit me Shqipërinë do të zgjidhet me presidentin e ri”, Meta i përgjigjet ministrit grek

Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me deklaratat e ministrit të Jashtëm grek Nikos Dendias për çështjen e detit mes Shqipërisë dhe Greqisë. Pas vizitës në Shqipëri, Dendias deklaroi për mediat greke se presidenti shqiptar nuk ka dhënë dakordësi për të çuar çështjen e detit në Hagë.
Por në një konferencë për mediat, presidenti Meta iu kundërpërgjigj se nuk ka patur vullnet nga kryeministri Edi Rama për këtë çështje, gjatë kohës që ka qenë edhe ministër i Jashtëm.
“Më 23 maj ministri grek i punëve të Jashtme, Dendias, realizoi një vizitë zyrtare në Shqipëri, duke u takuar ministren e Jashtme shqiptare dhe kryeministrin. Dua të sqaroj se nga pala greke apo nga Ministria jonë e Jashtme nuk është kërkuar realizimi i asnjë takimi të Ministrit Dendias me Presidentin. Pas mbylljes së vizitës në Tiranë, Dendias ka thënë se “u ra dakord për të çuar çështjen e detit në Hagë. Kjo nuk ka ndodhur, sepse Presidenti nuk ka dhënë dakordësi. Kjo do jetë e realizueshme, kur Shqipëria të zgjedhë Presidentin e ri”.
Dua të sqaroj se ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka paraqitur kërkesën për nisjen e negociatave me Greqinë për kufizimin e zonave të tyre detare. Presidenti konstatoi një mori problematikash, që duheshin ndrequr në këtë kërkesë. Pas informacionit shtesë nga ministri i Jashtëm, Presidenti autorizoi ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, të lëshojë plotëfuqinë për grupin negociator të Shqipërisë për negocimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Greqisë. Vetëm presidenti është autorizuar për të dialoguar me palën greke janë zhvilluar 3 raunde negociatash. Presidenti pasi është informuar është vënë në dijeni për disa problematika dhe shqetësime serioze. Për të diskutuar mbi ecurinë e procesit negociator është realizuar një takim, në këtë takim u ra dakord që kryeministri t’i udhëhiqte personalisht negociatat me shtetin grek. Për këtë do të paraqiste një kërkesë te presidenti. Presidenti konstatoi se kryeministri nuk po i përmbahej zotimeve dhe nuk po ndërmerrte asnjë hap, rikërkoi ndërhyrjen e kryeministrit pa vonesë dhe këto negociata të udhëhiqeshin nga niveli i lartë. Asnjë kërkesë për autorizim nuk u paraqit. Në mungesë të vullnetit, presidenti duke i qëndruar konstatimeve të mëparshme i rikërkoj kryeministrit ndërhyrjen e tij që negociatat të udhëhiqeshin nga niveli më i lartë duke marrë drejtimin e këtij procesi. Dhe për këtë kërkesë të presidentit nuk pati asnjë reagim dhe kryeministri që mbajti dhe detyrën e ministrit të Jashtëm dhe nuk parashtroi asnjë kërkesë për autorizim”.
Meta sqaroi gjithashtu se “çështja e zonave detare është e hapur dhe duhet të zgjidhet një herë e përgjithmonë në përputhje me kushtetutën dhe të drejtën ndërkombëtare në interes të plotë të ruajtjes integritetit territorial”/a2news