75 Mall Live Search
13:41 / E Hënë, 20 Qershor 2022 / Gj. Sh

Mario Goetze rikthehet në Bundeliga

Mario Goetze ka zgjedhur klubin e radhës në karrierë. Fantazisti gjerman, i cili mbahet mend për golin e shënuar ndaj Argjentinës në finalen e Botërorit Brazil 2014, ka arritur akordin me Eintracht Frankfurt.

Sport 1 shkruan se fituesit e Europa League kanë bindur 30-vjeçarin të rikthehet pas dy vitesh në Bundesliga, kampionat ku më parë ka luajtur me Borussia Dortmund dhe Bayern Munchen.

Goetze ka edhe dy vite kontratë me PSV-në. Klubi holandez kërkon 4 milionë euro për ta lënë të lirë lojtarin ofensiv, shumë që drejtuesit e Eintrachtit nuk e kanë problem ta paguajnë.

Për shërbimet e lojtarit të njohur u interesuan edhe Benfica e Inter Miami, por Eintrachti, që sezonin e ardhshëm do garojë në Champions League, u tregua më bindës dhe gjeti marrëveshjen me agjentin e Goetze.