75 Mall Live Search
23:25 / E Mërkurë, 22 Qershor 2022 / AR

Elmi Reçica paralajmëron reagim qytetarë, në rast se nuk jepet drita jeshile për Spitalin e Ferizajt

Deputeti i PDK-së nga Ferizaj, Elmi Reçica ka paralajmëruar reagim qytetarët, nëse nuk jepet drita jeshile për Spitalin e Ferizajt.

“Po besoj jeni në rrjedhë dhe nuk mbetet pa reagim qytetar çështja e Spitalit të Ferizajt”, tha Reçica në seancën e sotme të Kuvendit.

Ditë më parë Reçica, bashkë me ish drejtorët e Spitalit Rajonal të Ferizajt, Dr. Mufail Hasani, Dr. Skender Shabani, Dr. Bejtush Jaha, Dr.Sylejman Metushi dhe Dr. Jeton Zeqiri, në hapësirat e objektit të ri në ndërtim të Spitalit të Ri Rajonal të Ferizajt, mbajtën një konferencë për media.

Në atë konferencë, ata folën për bllokimin e ndërtimit të spitalit të Ferizajt, mos angazhimin e Qeverisë dhe nevojën e madhe që kanë qytetarët e Ferizajt për këtë spital.

Deputeti Reçica u bëri thirrje Qeverisë, Ministrit të Shëndetësisë, Ministrit të Financave dhe të gjithë deputetëve që vijnë nga rajoni i Ferizajt që të angazhohen maksimalisht që ky projekt të përfundojë sa më parë.

“Nga shtatë qytetet kryesore të Kosovës, vetëm Ferizaj nuk e ka një qendër spitalore të mirëfilltë, me kapacitetet e mjaftueshme. Këta doktorë këtu afër meje, u janë gjendur në kohën më të vështirë ushtarëve të UÇK-së dhe civilëve tanë. Me këta është themeluar Spitali i Ferizajt më 1999. Fatkeqësisht, projekti i menduar nga viti 2013 dhe i nisur nga viti 2017, Ka mbetur në gjysmë. Me planin dinamik, ky spital është dashur të përfundohet saktësisht një vit më parë, me 15 qershor 2021.”, ka thënë Reçica.

Ferizajt, së bashku me komunat përreth, u ofron shërbime shëndetësore afër 300 mijë banorëve. Pikërisht për këtë arsye, nevoja për të rritur kapacitetet spitalore është emergjente sepse ndërtesa aktuale e Spitalit Regjional nuk u plotëson nevojat e qytetarëve.