Mjetet financiare nga konfiskimi do të destinohen për grupet e margjinalizuara të shoqërisë!

Qeveria e Kosovës ka miratuar koncept-dokumentin e Fondit të Konfiskimit, i cili parasheh që mjetet financiare nga konfiskimi do të destinohen për mbështetje të grupeve të margjinalizuara të shoqërisë, ka bërë të ditur zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu përmes një postimi në Facebook.
“U votua në Qeverinë e Republikës së Kosovës Koncept-dokumenti i Fondit të Konfiskimit, që e kemi sponzoruar si Ministri e Drejtësisë e që ishte kërkesë e vazhdueshme e partnerëve ndërkombëtarë. E veçanta e këtij Fondi është se nga konfiskimet pas verdiktit të formës së prerë nga gjykata, mjetet e përfituara financiare do të destinohen për mbështetje të grupeve të margjinalizuara, në funksion të integrimit të tyre në shoqëri”, ka shkruar Sallahu.
Po ashtu, në këtë mbledhje u miratua edhe Propozim-vendimi për kriteret e dhënies në shfrytëzim të pronave të konfiskuara në drejtim të institucioneve lokale e qendrore, pas kërkesës nga ana e tyre dhe konform nevojave që kanë.
“Kjo e lehtëson barrën financiare të Ministrisë për mirëmbajtjen e këtyre pronave dhe në të njëjtën kohë i ndihmon institucionet tjera që përfitojnë nga shfrytëzimi i tyre”, ka shkruar Sallahu.