Ish-ministri Skender Reçica flet për idenë e tij që çdo familje të ketë një anëtar të punësuar

Ideja që çdo familje të ketë një anëtar të punësuar ka qenë fillimisht objektiv politik në kuadër të programit social të NISMA Socialdemokrate, program ky që në vete ka përmbajtur politika konkrete në trajtimin e çështjeve sociale dhe reformimin e tyre me qëllim rritjen e punësueshmërisë dhe permirësimin e mirëqenies së qytetarëve. Kështu është shprehur ish ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, nisur nga ky fakt që NISMA Socialdemokrate në qeverinë Haradinaj 2017- 2019 por edhe në qeverinë Hoti 2020 – 2021 ka udhëhequr me ketë dikaster.
“Fakti që korniza ligjore e cila rregullon çështjet sociale në vend ka qenë e adaptuar prej vitesh dhe bazuar në zhvillimet socio-ekonomike në vend kanë bërë që në kohën kur kam udhëhequr MPMS të filloj me reformat sociale dhe për këtë në kuadër të planit legjislativ patëm inicuar reformen ligjore të Skemës së Ndihmës Sociale”, ka thënë ish ministri.
Skema e Ndihmës Sociale, sipas tij, është instrument që ka për qëllim luftimin e varfërisë në vend. Ligji në fuqi për Skemën e Ndihmës Sociale është një ligj, i cili daton që nga viti 2003 dhe kriteret e përcaktuara me këtë ligj nuk përkojnë me realitetin socio-ekonomik në vend. Disa nga kriteret e përcaktuara për të përfituar nga asistenca sociale janë diskriminuese në një formë. Këto kritere të parapara me këtë ligj kanë përjashtuar dhe përjashtojnë shumë familje të varfëra nga skema e ndihmës sociale.
Reçica ka shtuar se objektiv i tyre në kuadër të reformes sociale ka qenë luftimi i varfërisë në vend, duke ofruar mbrojtje sociale për të gjitha familjet pa të ardhura financiare. Reforma e Skemës së Ndihmës Sociale të cilën e patën inicuar në vitin 2018 ka pasur për qëllim:
1. Zbutjen e varfërisë;
2. Zgjerimin e përfituesve duke ngushtuar brezin e
varfërisë;
3. Promovimin e përfshirjes sociale;
4. Eliminimin e kritereve diskriminuese për
përfituesit e asistencës sociale si:
• ai i moshës së fëmijës pesë vjeç;
• angazhimi në punë të rregullt, trajnimi
dhe aftësimi profesionale i përfitueseve
të aftë për punë, pa ndërprerje të
asistencës sociale për një kohë.
5. Instalimi i shtesave për fëmijë deri në moshën 18
vjeç për të gjitha familjet në asistencë sociale.
“Nga viti 2018 nëpërmjet masave aktive të tregut të punës e në bashkëpunim edhe me insitucionet tjera qendrore dhe lokale si dhe partnerët nderkombëtar kemi punuar shumë në jetësimin e objektivit që çdo familje e cila gëzon mbeshtetje sociale e që ka anëtar të aftë për punë të angazhohet në tregun e punës. Për këtë kemi ndërmarrë veprime konkrete duke mbështetur pagesën në vlerë 250 euro për gjashtë muaj për secilin nga kjo kategori që e kemi angazhuar në tregun e punës përmes masave aktive të tregut të punës qoftë në ndërmarrjet publike komunale, qoftë në kompanitë private, praktikë në punë apo trajnim në punë. Rezultatet e këtij objektivi filluan të vërehen menjëherë, por ndërrimet qeverisëse e ndalen ritmin, ndërsa ardhja e qeverisë Kurti e ndaloi atë fare, duke e prezantuar tani si diçka të re, në vend se t’a vazhdonte pa ndërprerë përgjatë gati dy viteve që janë në pushtet”, ka deklaruar ish ministry I MPMS-së, Skender Reçica.
Zvogëlimi i papunësisë në vend sipas tij, arrihet nëpërmjet zhvillimit ekonomik të vendit, tërheqjes së investimeve të huaja, por edhe nëpërmjet masave aktive të tregut të punës si dhe aftësimit dhe riaftësimit profesional të fuqisë punëtore.
Ai shton se Kosova është duke u ballafaquar me mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar sipas nevojave të tregut të punës. Fuqia punëtore në vend duhet të trajtohet me urgjencë nga qeveria e Kosovës dhe më një plan i cili duhet të orientohet në dy drejtime:
1. Aftësimi dhe riaftësimi profesional në bazë të
nevojave të tregut të punës i punëkërkuesëve të
regjistruar në Agjencinë e Punësimit të
Republikës së Kosovës dhe
2. Orientimi i të rinjve në karrierë mbi bazën e
nevojave të tregut të punës.