Molliqaj u përgjigjet aktivistëve për akuzat se është anëtar i SHIK-ut
Përçarjet dhe ofendimet në Lëvizjen Vetëvendosje ka shkaktuar përçarje edhe tek aktivistët e kësaj partie, Vlorian Molliqaj vëllai i deputetit të VV-së Dardan Molliqaj është etiketuar nga aktivistët e tjerë si anëtar i SHIK-ut.
Vetë Molliqaj përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook i është përgjigjur të gjithë atyre që e etiketojnë si anëtarë të Shik-ut.
“Dje e postova një status ku e dhashë mendimin tim lidhur me problemet e fundit brenda Lëvizjes sonë. Menjëherë u etiketova nga disa prej juve si pjesëtar i SHIK-ut, si i shitur, si tradhtar, si zëdhënës i Dardanit, etj”.
“Unë në Lëvizje jam angazhuar prej vitit të parë të themelimit të saj. Fillimisht nuk kam bërë shumë sepse kam qenë fëmijë, por të paktën e kam shpërndarë gazetën e Lëvizjes, kam shkruar parulla dhe kam ngjitur postera. Më vonë, bashkë me shumë prej juve, kemi marrë pjesë në shumë aksione e protesta ku edhe jemi arrestuar së bashku. Këtu në Suedi bashkë ne shumë aktivistë të tjerë, themeluam qendrën tonë ku në mes tjerash dhjetëfishuam numrin e votuesve”, ka shkruar Molliqaj.
Molliqaj me tej ka thënë se pavarësisht etiketimeve që i janë vënë ai nuk do të ofendojë askënd edhe nëse rrugëtimi i tyre i përbashkët nuk do të vazhdojë.
“Për mua, është e dhimbshme kur ju shokët e shoqet e mia që së bashku udhëtuam shumë vite, brenda natës më ngjitni etiketa të tilla veç pse unë e dhash një mendim ndryshe prej juve. Është e dhimbshme kur shoh se si sot unë për juve qenkam zëdhënës i vëllaut tim, përderisa dikur kur ishim krahpërkrah nuk më treguat që më shihni si zëdhënësin e Dardanit, por si shokun tuaj të idealit”.