Arrestohet një person për kanosje të zyrtarëve policorë

Sot, rreth orës 10:20 Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se në rrugën ” Sali Çeku” në Ferizaj është një rast i kanosjes.
Në lidhje me këtë policia e rendit ka marrë veprimet e nevojshme, duke dalë në vendin e ngjarjes dhe në rast janë kyçur Sektori Rajonal i Hetimeve, të cilët nën autorizim të Prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, i kanë nisur hetimet.
Personi me inicialet A.A (M/K) i moshës 39 vjeçare, gjatë seancës gjyqësore për një rast të kanosjes të zyrtarëve policorë, që kishte ndodhur më 06.10.2019, ka kanosur zyrtarët policorë, si të dëmtuar në këtë seancë.
Kanosja ka vazhduar edhe jashtë objektit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, ku sërish i kishte kanosur dy zyrtarët policorë, duke tentuar edhe t’i sulmojë.
Policia të dyshuarin e ka arrestuar dhe shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit nga hetuesit rajonal, me vendim të Prokurorit të rastit, i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore.