75 Mall Live Search
19:37 / E Mërkurë, 07 Shtator 2022 / A. M.

Berisha: Siguria kombëtare, problem serioz për Shqipërinë

Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha, në një bashkëbisedim me ekspertë dhe gazetarë është shprehur se problemi i parë dhe më kryesor mbetet ai i sigurisë kombëtare.“Problemi i parë dhe më kryesor mbetet problemi i sigurisë, i sigurisë kombëtare, sigurisë ligjore dhe asaj të rendit, jetën, pronës, veprimtarisë të qytetarëve dhe shoqërisë në tërësi. Në shumë aspekte, ajo që është dëmtuar më rëndë që rrokullis më shumë, që është shndërruar në një rrezik madhor për qytetarin shqiptar, për kombin tonë, lidhet direkt me çështjet e sigurisë”.“Sot, ne jemi një vend anëtar i NATO-s, ne nuk mund të kemi kërcënime për sigurinë kombëtare sepse aleanca ka traktatin, ka nenet e saj, por edhe zotimin së fundmi të Presidentit Xho Bajden se një inç po u prek në vendet anëtare të NATO, aleanca do të veprojë si një e tërë”, tha Berisha.

Gjatë fjalës së tij, Berisha ka thënë se është shqetësuese ajo siç e quan ai një përpjekje e hapur e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Ramës për të rreshtuar Shqipërinë me Serbinë.

Berisha ka shtuar se nisma “Ballkani i Hapur është një Ballkan i Hapur për krimin, drogën dhe pasigurinë”.

“Ajo që është tejet shqetësuese është një përpjekje e hapur e Edi Ramës për të rreshtuar Shqipërinë vend anëtar i NATO-s me Serbinë, e cila në të gjitha kohërat që kur është bërë e pavarur e deri më sot është njohur si Rusia e vogël. Fatmirërisht Kosova nuk pajtohet me të dhe është qeveria e Kosovës ajo që është shndërruar në një faktor kryesor të shndërrimit të këtij projekti të një aleancë trilateriale. Kjo aleancë, aq sa përbën një problem për sigurinë kombëtare, aq edhe për rendin, sigurinë dhe luftën kundër krimit pasi janë në këtë aks, lëvizin, operojnë bandat më të fuqishme të Ballkanit. Në njëfarë mënyre, Ballkani i Hapur është Ballkan i Hapur për krimin, drogën, për pasigurinë”.

“Por në raport me sigurinë kombëtare, në raport me sigurinë e qytetarëve, në raport me veprimtarinë e Policisë së Shtetit, ajo që ka pasur efektin më shkatërrimtar në Shqipëri ka qenë dhe është droga. Ju jeni dëshmitar se kjo qeverisje erdhi me shenjën e drogën, erdhi me skaf. Nga të gjithë politikanët shqiptarë, njëri, i vetmi në atë kohë që kishte skaf dhe i vetmi që u emërua ministër. Në një akt shkatërrimtar për rendin, goditën policinë kriminale dhe i hapën rrugë shndërrimit të Shqipërisë në Kolumbi apo kanabistan. Ishte me pasoja jashtëzakonisht të dëmshme dhe të rrezikshme për Shqipërinë politika e kanabizimit të saj. Ajo krijoi miliarda e miliarda euro në të cilat trafikatët shqiptarët u vërsulën të pushtojnë kartelën e kokainës në Amerikën Latine” tha ai.