75 Mall Live Search
10:08 / E Diele, 11 Shtator 2022 / MSH

Kurti kujton 11 shtatorin: Sot kujtojmë për të mos i harruar kurrë gati 3 mijë jetë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar sulmin e bërë më 11 shtator, në kullat binjake të New Yorkut.

Ai ka shkruar në Facebookun e tij zyrtar që kjo ngjarje u përcoll nga shqiptarët me ndjenjë frike e zemërimi, sidomos pasi ndodhi vetëm dy vite pas çlirimit të Kosovës, atëherë kur “aroma e shkrumbit akoma ndjehej nga shtëpitë e djegura”.

“Pavarësisht se sa vite kalojnë, mjafton të përmendim datën 11 shtator dhe ne kthehemi mënjëherë në atë ditë të errët. Sot kujtojmë për të mos i harruar kurrë gati 3 mijë jetë të bukura, nga më shumë se 90 shtete, që u morën mizorisht” shkroi Kurti.

Kryeministri shtoi se sulmuesit shpresuan që ky sulm do të dobësonte Amerikën, por qëndresa e ShBA-së dëshmoi se asnjë akt terrori nuk ndryshon karakterin e kombit amerikan.

“Ne sot bashkëndjejmë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe së bashku do të sigurohemi që terrorizmi dhe ligësia nuk do të triumfojnë kurrë” përfundoi kryeministri Kurti./Indeksonline/