Fizioterapeutët e Lirisë i shpëtojnë jetën futbollistit, por ngrenë një shqetësim të madh

Gjatë ndeshjes së sotme të kategorisë së juniorëve në mes të Lirisë dhe Istogut ka pasur një moment panike te futbollistët, stafi dhe tifozët.
Futbollisti i Lirisë, Erand Bacaliu ka pësuar një lëndim të rëndë, ku është dashur intervenimi i stafit mjekësor.
Fatmirësisht, falë dy fizioterapeutëve, Esmer Berisha dhe Masar Shala lojtari i ka shpëtuar më të keqës.
Në një komunikatë për media, klubi nga Prizreni ka bërë thirrje që pa mjek dhe fizioterapeut të mos zhvillohen ndeshjet e asnjë kategorie.
Ky është njoftimi i tyre:
Sot, në Prizren në stadiumin “Përparim Thaçi” gjatë ndeshjes së juniorëve;
LIRIA – ISTOGU në një duel në ajër lëndohet rëndë lojtari i juniorëve të Lirisë Erand Bacaliu i cili humb vetëdijen e me ç’rast i rrotullohet edhe gjuha, por me intervenimin e shpejtë të dy fizioterapistëve tanë Esmer Berishës dhe Masar Shalës, arritëm t’a evitojmë më të keqen. I Falenderojmë të dy heronjtë tanë nga zemra për profesionalizmin e treguar sot.
Ky moment i trishtë është një mesazh alarmues për të gjitha klubet tona se pa mjek dhe pa fizioterapistë kurrsesi nuk bën të zhvillohen ndeshjet në asnjë kategori.
Ky rast eshtë mesazh i kjartë për organet kompetente se në ketë aspekt duhet të jenë maksimalisht rigoroz sepse jeta e të rinjve është më e shtrenjtë se gjithçka tjetër.
Erandit i dëshirojmë shëndet.