75 Mall Live Search
23:05 / E Martë, 11 Tetor 2022 / shkelqim osmanaj

Mbi 3 mijë punëtorë të KEK-ut përfitojnë nga 10 tonë thëngjill falas

Pas shfuqizimit të vendimit të vitit 2018 të Qeverisë Haradinaj, përmes të cilit iu ndalohej punëtorëve të KEK-ut të merrnin thëngjill falas, këtë të martë ka nisur shpërndarja e thëngjillit për punëtorët e që procesi pritet të zgjas rreth 30 ditë.Është kamioni i 27-të me radhë.

Përmes tyre po bartet thëngjilli të cilin punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës do ta marrin si dhuratë.E shpërndarja e tij po bëhet sipas moshës, nga punëtorët më të vjetër deri te më të rinjtë.

Shpërndarja e thëngjillit për rreth tre mijë e 600 punëtorë ka nisur këtë të martë e parashihet të vazhdojë për një muaj.E ata që vazhdojnë të punojnë, fillimisht duhet t’i kalojnë disa procedura për t’u pajisur me rreth 10 tonë thëngjill.

Brenda ditës planifikohen të furnizohen rreth 120 kamionë të tillë, e që të gjithë kontrollohen për mbushjen e tyre.Ndalimi i furnizimit të punëtorëve të KEK-ut me thëngjill në vitin 2018, ishte përjetuar rëndë nga ta që punuan tërë jetën e tyre në këto miniera.

Vendimi që punëtorët të marrin thëngjill si dhuratë erdhi për shkak të krizës energjetike.Kryesindikalisti i KEK-ut, Nexhat Llumnica thotë se ky thëngjill që shpërndahet për punëtorë nuk do të shkaktojë pengesa në prodhimin e energjisë elektrike.

Një hall i tyre për këtë dimër u zgjidh, mirëpo punëtorët e KEK-ut kanë një kërkesë.Punëtorët shpresojnë që shpërndarja e thëngjillit falas për ta të vazhdojë edhe në të ardhmen.