75 Mall Live Search
13:50 / E Mërkurë, 13 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

​Institucionet shtetërore shpenzojnë afër 1 milion euro për informim publik

Institucionet e Pushtetit Lokal dhe atij Qendror gjatë vitit 2016 kanë shpenzuar afër 1 milion euro apo 0.05 për qind të buxhetit të Kosovës për informim publik.

Kështu ka vlerësuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, gjatë publikimit të raportit “Paraja publike e shpenzuar në media” , raport ky i publikuar për herë të parë.Drejtori ekzekutiv i AGK-së, Arben Salihu tha se për shkak të aspektit financiar të mediumeve punime të caktuara të gazetarëve janë të cenuara nga vet ata apo edhe nga redaktorët.

Salihu po ashtu tha se raportimi jo profesional dhe i censuruar ka bërë që të denigrohet edhe profesioni i gazetarisë, e që për pasojë bije edhe respekti ndaj punës së gazetarëve. Ndërsa, Ardian Nikolla, hulumtues në AGK ka deklaruar se qëllimi kryesor i këtij hulumtimi është të nxjerr në pah mënyrën e shpenzimit të parasë publike nga institucionet e vendit gjatë vitit 2016 për informim publik.

Sipas tij, institucionet e Pushtetit Lokal dhe atij Qendror për informim publik për vitin 2016 kanë shpenzuar gjithsej 812.130.36 euro apo 0.05 për qind të buxhetit të Kosovës, ku përfitues janë mbi 50 media. Tha se në nivelin qendror zyra e kryeministrit është shpenzuesit më i madh i mjete financiare për publikime dhe grante e cila arrin shifrën 189 mijë e 545 euro.Derisa, Ministria për Kthim dhe Komunitete del se ka shpenzuar më së paku për informim publik me vetëm 200 euro.