Haradinaj e viziton Suharekën e Bali Muharremajt, mbetet pa fjalë nga punët e bëra

I pari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar sot Suharekën, ku është pritur nga kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj.
Me këtë rast, Muharremaj u shpreh se ndjehet i nderuar nga vizita e Haradinajt, me të cilin së bashku vizituan biznese të ndryshme në Suharekë dhe biseduan me qytetarë, lidhur me zhvillimet në Kosovë.
“Sot u nderuam me prezencen e kryetarit Ramush Haradinaj në Suharekë. I vizituam disa biznese dhe u njoftuam edhe me të arrituarat e tyre. Poashtu me qytetarët kemi biseduar edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë” ka shkruar Muharremaj në facebook.
Në anën tjetër, edhe Haradinaj tha se është i befasuar me zhvillimin e qytetit të Suharekës, teksa u shpreh i shqetësuar lidhur me situatën e institucioneve qendrore të vendit.
“Biseduam për dialogun, domosdoshmërinë e rolit amerikan në të si dhe rëndësinë e madhe që ka për vendin tonë anëtarësimi në NATO.
Gjithashtu, shpreha shqetësim për mënyrën se si po i qaset qeveria krizës në vend, çmimet në rritje, por jo edhe pagat, të cilat edhe më tutje mbesin të parregulluara me ligj.
Dobësimi dhe varfërimi i mjekëve, mësimdhënësve, policëve e zyrtarëve të tjerë të shtetit, shkakton dobësimin e sistemit shëndetësor, arsimor, atij të sigurisë dhe shtetit në tërësi” shkroi Haradinaj.