75 Mall Live Search
12:51 / E Mërkurë, 09 Nëntor 2022 / C E

Kush është Ardon Jashari, talenti që Zvicra ia mori Kosovës dhe e fitoi në Botërorin e Katarit?

Ardon Jashari është njëri nga dy lojtarët më të rinj në moshë që Kombëtarja e Zvicrës i thirri për ta përfaqësuar vendin në Kupën e Botës 2022, që nis pas dy javëve në Katar.

Jashari ka mundur ta përfaqësonte Kosovën në futbollin botëror, por ai do të shkojë drejt Katarit tani.

Ai është në mesin e 26 futbollistëve, bashkë me Xherdan Shaqirin dhe Granit Xhakën, që trajneri Murak Yakin i ftoi të mërkurën në Kombëtaren helvetike për Botërorin e Katarit. 

I lindur në Luzren nga prindër me prejardhje nga Kosova, Jashari ishte synim i Kosovës por si shumë të tjerë para tij edhe ai përfundoi te Zvicra. 

Jashari është lojtari më i talentuar i Luzernit dhe thuhet të jetë nën vëzhgimin e klubeve të mëdha si Arsenal, Napoli dhe Ajax.

Drejtori i Kombëtares së Kosovës, Muharrem Sahiti, kishte thënë për Gazetën Nacionale në shtator se zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës ishin takuar me Jasharin për të bsieduar për mundësinë që ai ta përfaqësojë Kosovën. 

Por asgjë nuk kishte ndodhur dhe Jashari e kishte marrë një thirrje nga Zvicra në shtator dhe debutoi në fitoren 2:1 kundër Republikës së Çekisë në Ligën e Kombeve.

Po, ne kemi biseduar me Ardon Jasharin. Nuk kanë qenë vetëm kontakte, por ka pasur edhe takim fizik mes tij dhe menaxherit tonë (Bajram Shalës). Sinjalet e para ishin mjaftë pozitive, por tani e pamë që ka pranuar ftesën e Zvicrës. Çfarë të bëjmë ne”, tha Sahiti.

Mesfushori 20-vjeçar e kishte përfaqësuar Zvicrën U21 dhe faktikisht e kishte pritur thirrjen nga Kombëtarja A Helvetike vazhdimisht, si të tjerët para tij. 

Duke folur për gazetën zvicerane Blick në një intervistë në tetor, Jashari tha se Zvicra ishte zgjedhja e tij e zemrës dhe se ëndërronte të luante përkrah dyshes tjetër shqiptare, Xhaka e Shaqiri.

Për mua, kjo çështje është pranë zemrës. Për mua dhe familjen time është ëndërr e realizuar që jam me skuadrën e Zvicrës“, kishte thënë Jashari.