75 Mall Live Search
13:57 / E Enjte, 10 Nëntor 2022 / AR

Dështon rezoluta e LDK-së kundër sulmeve seksuale, reagon kryetari i Rinisë

Kryetari i Rinisë së LDK-së, Paris Guri ka reaguar pas në Kuvend ka dështuar rezoluta kundër sulmeve seksuale e prezantuar nga deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili.

Ai thotë se kjo është fatkeqësi duke shtuar se “vetëm gjatë këtij viti kanë ndodhur 103 sulme/ngacmime seksuale, dhe 51 dhunime, këto nuk janë vetëm statistika; nuk guxojmë ti shohim si të tilla, janë jetë grash; është urgjencë kombëtare”.

Postimi i plotë:

Vetëvendosje kundër rezolutës që lufton ngacmimet seksuale!

Çfarë fatkeqësie, sot Lëvizja Vetëvendosje nuk e votoi rezolutën e propozuar nga grupi parlamentar i LDK-së, kundër sulmeve ndaj integritetit seksual. Edhe në një temë si kjo e cila mbi të gjitha është urgjencë kombëtare, kalkulojnë politikisht e merren me inate politike. 

Vetëm gjatë këtij viti kanë ndodhur 103 sulme/ngacmime seksuale, dhe 51 dhunime, këto nuk janë vetëm statistika; nuk guxojmë ti shohim si të tilla, janë jetë grash; është urgjencë kombëtare. 

Po i bashkëngjis disa nga pikat e rezolutës së propozuar nga deputetja Doarsa R. Kica:

Viti 2023 të shpallet “vit kundër sulmeve seksuale ndaj integritetit seksual”, me ç’rast  detyrohen të gjitha institucionet ta prioritizojnë rolin e tyre proaktiv kundër sulmeve seksuale;

Profilizim i gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët merren ekskluzivisht me lëndët e ngacmimeve seksuale;

Krijimi i një linje të ndarë telefonike për raportimin e rasteve të ngacmimeve seksuale;

Cili është argumenti të cilin një deputet/e mund ta përdorë kundër këtyre pikave, sidomos në këtë kohë; sidomos pas rasteve të fundit?